Tetori nuk është vetëm muaji i sensibilizimit për kancerin e gjirit, por edhe i solidaritetit me ato që janë prekur. Ndaj sot, gra dhe vajza dhuruan flokët e tyre për të bërë paruke për pacientet e prekura nga kjo sëmundje.
Është vetëm 17 vjeç dhe si çdo vajzë e kësaj moshe i dëshiron flokët e gjata, por Jedrita Llapi ka vendosur t’i presë flokët e saj për gratë me kancer gjiri, të cilat pasi i nënshtrohen trajtimit me kimioterapi pësojnë rënie të flokëve.
Përveç vuajtjes, sëmundja e rëndë i dëmton edhe psikologjikisht gratë. Ndryshimi i pamjes së jashtme i bën ato të ndihen edhe më pesimiste.
Kjo është hera e tretë që gra dhe vajza u vijnë në ndihmë pacienteve me kancer gjiri duke dhuruar flokët e tyre.
“Ndoshta nuk zgjidh ndonjë gjë, por kush e ka provuara e di se si ndihen kur humb flokët”, u shpreh Donjeta Zeqa, nga “Europa Dona Albania”.
Muaji tetor është muaji i sensibilizimit të gjitha grave për kontrolle të vazhdueshme dhe jo vetëm, pasi edhe ato që janë prekur nga kjo sëmundje duhet të gjejnë forcë për ta sfiduar.
“Unë e kam kaluar njëherë, mu rikthye e tani më ka kaluar në kocka. Por duhet forcë për ta përballuar”, u shpreh Sonila Totraku.
Top Channel