Qyteti i vogël britanik i Salisbury-t rrëmbeu kohë më parë vëmendjen e botës për shkak të hetimit ndërkombëtar mbi helmimin e agjentit rus Sergei Skripal me substancën e rrezikshme Novichok.
Tani, emri i tij lakohet sërish në mediat e huaja, por për një arsye krejt tjetër: një 45 vjeçar ka përfunduar në pranga sepse u përpoq të vidhte një kopje të “Magna Carta-s” nga katedralja e famshme e qytetit.
Dokumenti 803 vjeçar konsiderohet si një ndër më të rëndësishmit në histori. Burri theu kutinë e xhamit që mbante dokumentin e rrallë dhe tentoi ta nxirrte prej andej.
Karta e të drejtave ishte një marrëveshje paqeje që synonte frenimin e rebelimit kundër mbretit Xhon në vitin 1215, duke i dhënë jetë një alternativeje tjetër përveç asaj të qeverisjes me pushtet absolut.
Praktikisht, ai është dokumenti i parë që e vendoste me shkrim se askush, përfshirë këtu dhe vetë mbretin, nuk qëndron mbi ligjin.
Karta parashikon po ashtu të drejtat për një gjyq të ndershëm. Kopja e gjendur ne katedralen e Salisbury-t është një prej katër të tillave që ekzistojnë sot.
Është e shkruar me dorë në latinisht, gjuha e dokumenteve zyrtare të kohës. Tre kopjet e tjera ruhen në bibliotekën kombëtare britanike dhe në katedralen Lincoln.
‘Magna Carta’ besohet të ketë frymëzuar një sërë dokumentesh, përfshirë Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Top Channel