Kamza-Tirana është mbyllur në barazim 1-1 ditën e sotme, ku asnjë nga dy ekipet nuk mundi të dalë me kokën lartë dhe të largojë disi situatën aspak të mirë që po kalojnë.

Bardheblutë e Ardian Memës, ishin më aktivë dhe më kërkues, ndonëse as vendasit e drejtuar nga trajneri elbasanas, Klodian Duro nuk mbetën mbrapa, në kërkim të fitores së munguar prej shumë javësh.

Sa i përket golave, gjithçka u zhvillua në pjesën e dytë, kur Tirana kaloi e para në avantazh në minutën e 64’, me sulmuesin Sentamu, që mposhti portierin e vendasve, Avdylin.

Kamza reagoi vetëm 5 minuta më vonë dhe ishte japonezi Fukui, që shfrytëzoi një top të grushtuar keq nga portieri bardheblu, për ta dërguar në rrjetë dhe për të rivendosur baraspeshën.

Pas kësaj ndeshjeje, si Tirana, ashtu edhe Kamza mbeten në të njëjtat pozita në renditje, konkretisht në vendin e 7 dhe të 8, por me ndryshimin se tashmë kanë nga një pikë më tepër, 9 për bardheblutë dhe 8 për kamzalinjtë.

Top Channel