Franca kërcënon Gjermaninë me bojkotin e planit për zhvillimin e avionëve luftarakë

27/10/2018 00:43

Franca ka kërcënuar se do të anulojë një projekt franko-gjerman për të zhvilluar një avion luftarak të gjeneratës së ardhshme, nëse Gjermania nuk pranon të lejojë eksportet e pakufizuara të avionëve, madje edhe në vendet e përfshira në konflikte, njoftoi të premten revista Der Spiegel.

Revista gjermane, duke cituar një kabllo konfidenciale të dërguar nga ambasadori gjerman në Francë, tha se zyrtarët francezë e bënë të qartë qëndrimin e tyre gjatë një takimi në Paris më 21 shtator.

Deri tani, nuk ka reaguar asnjë nga ministritë e mbrojtjes së dy vendeve, të cilat po merren me bashkërendimin e këtij projekti, por as zyrtarët e përmendur në kabllon konfidenciale.

Projekti u njoftua së pari nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, në korrik 2017, së bashku me planet për të zhvilluar një tank të ri.

Gjatë takimit të shtatorit, Claire Landais, Sekretari i Përgjithshëm i Francës për Mbrojtjen dhe Sigurinë Kombëtare, tha se eksportet e pakufizuara ishin “një pjesë qendrore e financimit të projektit të përgjithshëm” dhe Franca shihte “garancitë afatgjata për eksportet e ardhshme të pajisjeve, si thelbësore”, citon Spiegel.

“Vetëm kur garancitë e tilla mund të jepen, mund të jepet dritë jeshile politike për miliarda euro në investime”, citohen fjalët që Landais ka thënë.
Javën e kaluar, shefi i mbrojtjes i Airbus, Dirk Hoke paralajmëroi Francën për të kërkuar një pjesë shumë të madhe të programit, duke thënë se mund të shkatërrojë shanset e tij për t’u miratuar nga parlamenti gjerman.

Airbus kishte rënë dakord të lejonte që rivali i tij, Dassault Aviation i Francës, të marrë rolin udhëheqës në zhvillimin e një avioni të ri luftarak, por kjo nuk do të thotë se Franca do të drejtojë projektin e përgjithshëm, i cili do të përfshijë avionë pa pilot dhe armë të tjera, tha Hoke për faqen e internetit franceze, La Tribune.

Dassault Aviation dhe Airbus, partnerët industrialë përkatës për Francën dhe Gjermaninë, nuk preferuan të komentojnë menjëherë për situatën e krijuar
Raporti i Spiegel dhe komentet e Hokes, vënë në pah tensionet e vazhdueshme mbi ndërmarrjen ambicioze nga dy vende me pikëpamje shumë të ndryshme mbi eksportet e armëve.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka ndërprerë dorëzimet e armëve në Arabinë Saudite në shenjë proteste për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi brenda konsullatës saudite në Stamboll më 2 tetor, një vrasje që ajo e ka quajtur “monstruoze”.

Nga ana tjetër, reagimi i Francës ndaj rastit Khashoggi është i moderuar deri më sot, ndërsa Parisi përpiqet të mbajë ndikimin e saj në Riad dhe të mbrojë marrëdhëniet tregtare që përfshijnë energjinë, financat dhe armatimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA