E fejuara e gazetarit të vrarë saudit Jamal Kashoggi ka refuzuar ftesën e Donald Trumpit për një vizitë në Shtëpinë e Bardhë e madje e akuzoi presidentin amerikan se nuk treguar i sinqertë mbi hetimin e krimit.
Hatice Cengiz i tha televizionit shtetëror turk se gjëja e parë që mendoi kur i mbërriti ftesa e Trumpit ishte që bëhet fjalë thjesht për një përpjekje për të influencuar opinionin publik amerikan.
Gjatë intervistës, në të cilin nuk munguan as momentet e përlotjes, Cengiz rikujtoi ditën e zhdukjes së të fejuarit të saj e tha se nuk do ta kishte lënë kurrë të hynte në konsullatë nëse do të kishte pasur edhe dyshimin më të vogël mbi komplotin e thurur ndaj tij, qe mbërrinte në vrasjen e reporterit.
“Ai e kishte një shqetësim, por me mua nuk foli shumë. E shikoja në fytyrë që diçka e gërryente. Unë kërkoj që të gjithë personat përgjegjës për këtë barbari, nga niveli më i ulët tek ai më i lartë, të dalin përpara drejtësisë e të ndëshkohen”, u shpreh ajo.
Rijadi mohon me forcë përfshirjen e familjes mbretërore në vrasjen e gazetarit kritik të regjimit brenda konsullatës së tij në Stamboll tre javë më parë dhe pretendon se agjentët vepruan me kokën e tyre.
Arabia Saudite fillimisht mohoi të kishte dijeni për fatin e reporterit, por tani, prokurori publik saudite flet për vrasje të paramenduar. Trumpi nuk është i kënaqur siç thotë me shpjegimin e dhënë prej sauditeve, por ndonëse e ka përmendur mundësinë e sanksioneve, vazhdon ta theksojë me forcë rëndësinë e lidhjeve të forta mes dy vendeve aleatë të hershme.
Top Channel