Michael Jordan hyn në botën e “eSport”. Legjenda amerikane e basketbollit ka hyrë në “aXiomatic”, shoqëri shumë aktive dhe konkurruese në fushën e videolojërave.

“aXiomatic” është shoqëria që gjendet pas “Team Liquid”, organizatë shumë aktive dhe fitimprurëse në botën e “eSport”. Ajo sapo ka njoftuar finalizimin e një investimi prej 26 milionë dollarësh.

Mes emrave të investitorëve spikat edhe ai i legjendës absolute të basketbollit, Michael Jordan, i cili ka marrë pjesë në këtë nismë bashkë me sipërmarrësin David Rubenstein e themelues të tjerë të kompanisë.

Kështu, fenomeni me numrin 23, si edhe aksioneri kryesor i Charlotte Hornets, i shtohet listës së gjatë të personazheve të botës së sportit, të interesuar për botën e videolojërave konkurruese.

Te kjo listë gjenden edhe personazhe të tjerë të famshëm, si Shaquille O’Neal dhe Ruud Gullit. Jordan konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave në NBA, duke fituar 6 kampionate në karrierën e tij.

Në marrëveshjet me markat “Nike”, “Hanes”, “Gatorade” dhe kryesisht me Charlotte Hornets, nga e cila ka fituar 1.05 miliardë dollarë, Jordan zotëron sot një pasuri prej 1.7 miliardë dollarësh. Ky është investimi i parë i Jordanit në industrinë e videolojërave, ku gjithashtu bashkohet me shokun e tij olimpik të vitit 1992, Magic Johnson, si bashkëpronar në “aXiomatic”.

Top Channel