Turi i dëgjesave me qytetarët për Buxhetin 2019 dhe bilanci i punëve të kryera në këto 3 vjet u ndal dje pasdite në Njësinë 2. Nga shkolla 9-vjeçare “Kosova”, e cila u rindërtua tre herë më e madhe mbi rrënojat e ndërtesës së dikurshme, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha se në kryeqyteti ka pësuar një ndryshim rrënjësor si në infrastrukturë, ashtu edhe në mentalitet.
Në bashkëbisedimin me banorët e njësisë, kryebashkiaku vlerësoi ligjin për mbylljen e pikave të basteve dhe kazinove, një fenomen që sillte mjaft pasoja sociale për familjet shqiptare. “Fakti që votuam PS-në do të thotë se u shpërblyem me një vendim kundër pikave të basteve, kazinove e bingove në Tiranë. Tiranës i kthehen burrat në shtëpi dhe lekët në xhepa; gjë më të mirë se kaq, nuk mund të kishim! A e dini që, në fakt, vetëm në Tiranë, industria e basteve ka më shumë para se i gjithë buxheti i bashkisë?! Ndaj, sot (dje), me një votim kemi marrë dy buxhete: buxhetin e Tiranës, që po diskutojmë këtu dhe një buxhet tjetër, që është më i madh se buxheti i Tiranës: paratë që do u ngelen të gjitha familjeve, jo 3-4 kriminelëve që kanë pikat e basteve”, deklaroi ai.
Veliaj vlerësoi edhe vendimin e deputetëve për t’i hapur rrugë ndërtimit të një godine të re moderne dhe funksionale të teatrit, ndërsa tha se koha po tregon se ata që janë kundër teatrit, janë të njëjtët që duan edhe pikat e basteve. Ndaj, ai kërkoi prej qytetarëve një mbështetje masive në zgjedhjet e ardhshme për PS-në, në mënyrë që ritmi i punëve në këtë qytet të mos ndalet. “Një vendim tjetër i jashtëzakonshëm që mori Parlamenti ishte ai për teatrin e ri. I jam sot mirënjohës Edi Ramës, Partisë Socialiste, 74 deputetëve, që votuan teatrin sepse besoj vetëm kur vëmë dorë ecin gjërat përpara. Tani, imagjinoni pak logjikën e këtyre, këta thonë: mos, nuk e duam Teatrin, duam bastet! Ne themi: nuk duam bastet, duam teatrin! Nuk besoj se ka njeri normal, nuk ka rëndësi i majtë apo i djathtë, që thotë nuk e dua teatrin se dua bastet. Sot politika është ndarë në këto dy tema: PS i thotë jo basteve, pro teatrit! Partia tjetër thotë: S’duam teatër, duam baste! Kushdo që do të shkojë të votojë vitin tjetër për kryetarin e Bashkisë ose për Këshillin Bashkiak duhet të mendojë e të thotë: mirë kryetarin e Bashkisë, por me votën e Këshillit Bashkiak nuk bëj më qokë, do t’ia jap vetëm PS sepse vetëm ajo ma garanton që kryetari i Bashkisë mbështetet për të bërë këto lloj punësh”, tha Veliaj.
Një vëmendje e posaçme i është kushtuar rehabilitimit dhe ndërtimit të infrastrukturës për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të Njësisë 2. Kreu i Bashkisë tha se projektet e realizuara nga bashkia në këto tre vite janë kthyer në histori suksesi. Ai vlerësoi se tre vite më parë askush nuk do e kishte menduar transformimin e shumë prej shkollave që ishin lënë nën mëshirën e fatit. “Jam shumë entuziast sepse shkolla “Kosova” është sot një histori suksesi për gjithë Tiranën. Ka vendosur një standard se si do jenë shkollat e reja të qytetit. Por, teksa jam duke folur për shkollën “Kosova”, në krah shoh Liceun Artistik, një tjetër projekt i Rilindjes Urbane, që arritëm ta financonim me qeverinë e Edi Ramës”, u shpreh Veliaj, teksa solli në vëmendje punën kolosale që është bërë për të rikonstruktuar ‘fidanishten’ e yjeve të baletit, të cilat na nderojnë në skenat më të njohura në botë. Ai shtoi se ky është tregues i qartë i vendosmërisë që ka kjo mazhorancë për t’i çuar gjërat përpara.
Nisur me rikonstruksionin e çerdhes 54 Rr. “M. Grameno”, kopshtit 18 dhe të kopshtit në Saukun e Vjetër, puna vijoi me ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Kosova”, rikonstruksionin e Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe ndërtimin e sallës së koncerteve; rehabilitimin e shkollës “Mustafa Greblleshi”; rehabilitimin e shkollës “Fan Noli”; rikonstruksionin e shkollës “Ibrahim Brahja” dhe shkollës “Hasan Tahsini”; rikonstruksionin e shkollës Koreografike dhe shkollës “Ismail Qemali”. Paralelisht ka vijuar puna me mirëmbajtjen në mënyë sistematike edhe në 12 shkolla, 4 kopshte, 4 çerdhe.
Një nga zonat që ka ndjerë transformimin në këto tre vite është dhe ajo e Parkut të Liqenit. Deri pak kohë më parë një hapësirë e degraduar, sot i gjithë parku gëlon nga aktivitetet sportive dhe kulturore. “Kur po vija nga Amfiteatri m’u kujtua si ishte i shkatërruar, kurse sot ka dalë në dritë, ka aktivitete çdo natë. Shiheni sot Këndin e Lojrave, plot; pistat e vrapit, po ashtu!”, tha Veliaj, ndërsa bëri të ditur se shumë shpejt Parkut të Liqenit do t’i shtohen edhe 2.5 hektarë të tjera, ku bashkia planifikon të bëjë një hyrje dinjitoze për të gjithë ata që dashurojnë natyrën. “Edhe për lodrat thanë po na marrin gardhet, do bëjnë kulla. Hapësirën te Garda na e dha Qeveria, një zonë e degraduar prej 2.5 ha që t’ia kthejmë parkut, për të krijuar një hyrje më dinjitoze se sa ajo rrugica e ngushtë mes bankës dhe lokaleve të shëmtuara”, theksoi Veliaj.
Aktualisht, Bashkia e Tiranës është duke punuar për t’i dhënë zgjidhje shqetësimit të qytetarëve të kësaj njësie edhe për parkimin e automjeteve. “Po punojmë me dy parkingje nëntokësore që janë në Njësinë 2: njëri te sheshi “Italia”, pra që e gjithë zona rreth stadiumit “Qemal Stafa” të ketë mundësinë e parkimit, dhe tjetri te parku i ‘7 Xhuxhave’”, tha Veliaj.
Ai listoi edhe një sërë punësh të realizuara në këto tre vite në këtë njësi, që më parë as që mund të mendoheshin: ndërtimi i Rrugës “Danish Jukniu”; ndërtimi i rrugës “Faik Konica”; rikualifikimi i Rrugëve “Vllazën Huta” dhe “Beqir Luga”; rikonstruksioni i rrugës “Herman Gmeiner”; rikualifikimi urban i bllokut që kufizohet nga rrugët “Dervish Hima”, “Sheh Ahmet Pazari” dhe stadiumi “Qemal Stafa”; tregu i fruta – perimeve, rruga “Petro Nini Luarasi”; Pazari i Ri; korsitë e biçikletave te “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”; rehabilitimi i rrugës “Kadri Haziz Hoxha”; rikonstruksioni i rrugës “Mihal Grameno”, si dhe degëzimi i rrugës “Pjetër Budi”.
Në Njësinë 2 janë në proces realizimi rikonstruksioni i rrjetit të kanalizimeve në kryqëzimin e Bulevardit “Bajram Curri” dhe rruga e “Elbasanit”; rikualifikimi urban i Bllokut që kufizohet nga rruga e “Elbasanit” – “Stavri Vinjau” – “Pjetër Budi” dhe “Ali Visha”; “Parkimi Nëntokësor Sheshi Italia”; rikonceptimi i parkut të lojrave të fëmijëve dhe parkimi publik 2 kate nën tokë në rrugën e Elbasanit; sistemimi i territorit në rr. “Mihal Grameno” dhe rikonstruksioni i Rr. Fatmir Haxhiu.
Veliaj prezantoi edhe disa nga projektet e ardhshme të Bashkisë së Tiranës për këtë njësi, ku bie në sy hapja për publikun e “Çarshisë së Toptanëve” te “Kalaja e Tiranës”. “Shumë shpejt do të hapim “Çarshinë e Toptanëve” te “Kalaja e Tiranës”, një miniaturë e “Pazarit të ri”. Mandej, do të fillojmë edhe punimet tek rruga “Murat Toptani” te Pedonalja”, tha ai, duke theksuar projektin për rehabilitimin e zonës së 9-katësheve, e cila do të kthehet me të njëjtat parametra si Pazari i ri, për ta kthyer në një atraksion për qytetin.
Për herë të parë në këto 30 vite, bashkia do të nisë rikualifikimin urban të zonës pranë Tregut Elektrik, e cila është një nga më të populluarat. Janë në planifikim rikualifikimi urban i bllokut që kufizohet nga Bulevardi “Bajram Curri”, rruga “Petro Nini Luarasi”, rruga “Taulantia”, rruga “Ali Demi”, e gjithë zona e “Tregut Elektrik”. Ndërkohë, ndër investimet e planifikuara janë rikonstruksioni i rrugës “Murat Toptani”; ndërtimi i rrugës “Enver Preza”dhe degëzimeve të saj; rikonstruksioni i rrugës “Grigor Cilka”; rehabilitimi i rrugës “Xhorxh Bush”; rruga tek liqeni pranë Rezidencës Hollandeze; rikonstruksioni i rrugës “Selim Jegeni” dhe degëzimet e saj (Sauk); rikonstruksioni i rrugës “Kadri Kërçiku”; rikualifikimi i rrugës Luigj Gurakuqi, si dhe sheshi rekreativ në Rr. “Osmët”.
Top Channel