Superiorja, Tirana kërkon reagimin ndaj Kamzës. Flamurtari-Teuta, sfidë mes të barabartëve

26/10/2018 14:40

Kategoria Superiore rikthehet këtë fundjavë, me dy ndeshjet e para të ditës së shtunë, Kamza-Tirana dhe Flamurtari-Teuta.

Bardheblutë nuk po arrijnë të gjejnë zgjidhjen e një sezoni, që e filluan me shumë pretendime, por që në prag të ndeshjes së parë të fazës së dytë e shohin veten në vendin e katërt nga fundi, në kuotën e 8 pikëve pas 9 javësh kampionat.

Nën drejtimin e Ardi Memës, Tirana debutoi me humbje javën e shkuar të kampionatit, ndërkohë që shumë shpejt pritet kthesa pas ndryshimit të trajnerit Ze Maria, duke nisur ndoshta nga kjo fundjavë.

Kamza është gjithashtu një skuadër në vështirësi të mëdha rezultatesh. Pesë ndeshje pa një fitore i kanë çuar kamzalinjtë në vendin e tretë nga fundi, me një pikë më pak sesa Tirana, duke e shndërruar përballjen e së shtunës në një duel rivalesh të drejtpërdrejtë për klasifikimin momental.

Ndërkohë, ndeshja tjetër mes Flasmurtarit dhe Teutës është një provë vazhdimësie për të dyja skuadrat, të cilat edhe pse vijnë nga fitoret, ende nuk po arrijnë të mbajnë një ekuilibër rezultatesh. Flamurtari mundi javën e shkuar Tiranën, në një fitore shprese dhe morali.

Në këtë ndeshje skuadra e Teutës vjen pas dy fitoreve radhazi, që gjithsesi mbetet në kuotën e 14 pikëve pas 9 javëve, në vendin e 6, po aq sa edhe skuadra vlonjate, që falë golavarazhit më të mirë ndodhet një pozicion më lart.

Top Channel