Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka vijuar kërkimet në një zyrë postare afër Miamit, ndërsa hetuesit përpiqen të zbulojnë se kush qëndron pas një serie pakosh shpërthyese. Ato iu dërguan 8 personave të profilit të lartë, përfshirë ish-presidentin Barack Obama dhe aktorin Robert De Niro.

Zyrtarët u thanë medieve amerikane se, hetuesit besojnë se të paktën një prej pakove-bombë ishte dërguar nga Florida. FBI-ja nuk ka bërë publike detaje të hetimit të saj.

Pako të ngjashme iu dërguan ish-zëvendëspresidentit Joe Biden dhe ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.

Madje, mbrëmjen e së enjtes u evakuua edhe qendra “Time Warner” në Nju jork, pas raporteve për një pako të dyshimtë, që rezultoi më vonë një alarm fals. Në ndërtesë gjenden zyrat e rrjetit televiziv CNN, që mori një pako-bombë një ditë më parë.

Sidoqoftë, zyrtarët e FBI-së thanë se pluhuri i bardhë që u gjet në pakon dërguar CNN-it nuk përbënte një kërcënim biologjik.

Ekzaminimet e të gjitha pakove vazhdojnë ndërkohë në laboratorin e FBI-së në Quantico të Virxhinias. Zyrtarët nuk kanë mundur të konfirmojnë nëse pakot kanë qenë të gatshme të shpërthenin, por thanë se po i trajtojnë ato si bomba të dyshuara.

Seria e alarmeve për bomba nisi të hënën, kur një pajisje e dyshuar u gjet në kutinë postare të biznesmenit miliarder, George Soros, një prej donatorëve më të mëdhenj të Partisë Demokratike.

Lista e plotë e individëve, drejt të cilëve u dërguan pakot-bombë:
1. George Soros
2. Ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton
3. Ish-presidenti Barack Obama
4. Ish-zv.presidenti Joe Biden
5. Ish-drejtori i CIA-s, John Brennan, me adresë zëvendësuese CNN-in
6. Ish-kryeprokurori Eric Holder
7. Kongresmenja demokrate e Kalifornisë, Maxine Waters
8. Robert De Niro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA