Nisur nga përgjimet e Prokurorisë të një anëtari të grupit të “Avdylajve” në Durrës që bisedon edhe me Vangjush Dakon, kryebashkiakun e qytetit bregdetar, Lulzim Basha përmes një postimi në “Twitter” kërkon nisjen e një hetimi të posaçëm për vjedhje të zgjedhjeve.
Sipas tij, tashmë është e qartë se Rama ka pasur një plan për të vjedhur zgjedhjet e ardhshme duke bashkëpunuar me krimin, e Vangjush Dako është i pari që duhet të merret i pandehur.
“Tashmë është e qartë për këdo se Edi Rama ka patur një plan të shtrirë mbarë vendit, për bashkëpunim me krimin për të vjedhur zgjedhjet. Duhet urgjentisht një hetim i posaçëm dhe i pavarur për këtë operacion kriminal. Vangjush Dako është i pari që duhet të merret i pandehur”, shkruan Basha.
Kryeopozitari në një tjetër postim në “Twitter” apelon për arrestimin e Vangjush Dakos, pasi sipas tij ai e ka pranuar publikisht se ka bashkëpunar me bandat për të dhunuar zgjedhjet
“Mosarrestimi i Vangjush Dakos edhe pasi pranoi mbrëmë publikisht se ka bashkëpunyar me bandat për të dhunuar zgjedhjet, është shkatërrim i demokracisë dhe vdekje e drejtësisë”, shton Basha.
Më tej ai i bën thirrjes drejtuese së Prokurorisë së Përgjithshme, si edhe kryeprokurores Arta Marku, se dëmtimi i provave dhe manipulimi i hetimeve për krimet elektorale të Dakos, Ballës, Gjiknurit,Tahirit e të tjerë, është krim i rëndë për të cilin do të mbajnë përgjegjësi.
“Dua t’i kujtoj dyshes Marku-Prela dhe Arta Markut se dëmtimi i provave dhe manipulimi i hetimeve për krimet elektorale të Dakos, Ballës, Gjiknurit,Tahirit e të tjerë, është krim i rëndë për të cilin do të mbajnë përgjegjësi. Kur prokuroria mbron krimin, ka rënë shteti”, shkruan Basha.
Top Channel