Avokati i Popullit ka dalë në përfundimin se ndaj Enea Ftoit nuk është ushtruar dhunë në ambientet e komisariatit të Korçës, aty ku 27-vjeçari ndërroi jetë.
Familjarët e tij akuzuan për dhunë policët, por në hetimin e Avokatit të Popullit thuhet se Ftoit i ka pushuar zemra.
“Ndaj Enea Ftoit nuk është ushtruar dhunë fizike. Janë respektuar të drejtat ligjore gjatë veprimeve të kryera nga policia lidhur me orën e arrestimit, sigurimin e mbrojtësit, njohja me të drejtat etj. Nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor, rezulton që shkaku i vdekjes së 27-vjeçarit ka qenë ndalimi i menjëhershëm i punës së zemrës, me mekanizmin e ishemisë akute të miokardit, sëmundje kronike të mushkërive dhe prezencë të produkteve narkotike. Nga hetimi i Avokatit të Popullit rezulton se në ambientin e dhomave të sigurisë të Komisariatit të Korçës, sistemi për kontrollin, monitorimin dhe regjistrimin me anë të pajisjeve audio-vizive të veprimeve të punonjësve të policisë që kryejnë me të arrestuarit/ndaluarit marrjen në pyetje nga përfaqësuesit e organit të akuzës, nuk funksionojnë prej disa muajsh. Gjithashtu, në dhomën e marrjes në pyetje të të arrestuarve/ndaluarve nuk janë instaluar kamera, edhe pse kjo parashikohet në ligje dhe rregulloret përkatëse. Megjithëse ligji parashikon që kontrolli mjekësor i të arrestuarve/ndaluarve kryhet nga mjeku apo ndihmësmjeku i Komisariatit, në Komisariatin e Korçës këtë detyrë e kryente një infermier, që, sipas vlerësimit të Avokatit të Popullit, nuk ka aftësinë profesionale të konstatimit apo trajtimit të problemeve shëndetësore të të ndaluarve. Avokati i Popullit, referuar rastit të Enea Ftoit, i ka rekomanduar Drejtorisë së Policisë së Korçës instalimin e sistemit të monitorimit në dhomat e sigurimit dhe në ambientet e tjera të Komisariatit ku kryhet marrja në pyetje e të ndaluarve. Si dhe plotësimin e organikës së drejtorisë me mjek me kohë të plotë pune”, thotë Avokati i Popullit.
Top Channel