Partitë opozitare shqiptare ashtu siç kanë paralajmëruar do të ndërhyjnë me amendamente në ndryshimet kushtetuese për të avancuar sipas tyre pozitën juridike të shqiptarëve në shtet, raporton Alsat.

Lëvizja Besa e Bilall Kasamit tashmë ka hartuar katër amendamente me të cilat kërkon që shqiptarët të jenë shtetformues, që gjuha shqipe të përcaktohet si gjuhë zyrtare dhe të hiqet emërtimi si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës në vend.

Gjithashtu kërkohet ndryshimi i nenit 49 të Kushtetutës që të mos ketë diskriminim në mbrojtjen e entiteteve tjera që jetojnë jashtë vendit si dhe neni 75 me qëllim që të gjendet mënyrë që kryetari i shtetit të mos mund të bllokojë ligjet që miratohen në Kuvend.

“Propozimet të cilat ne i japim për përdorimin e gjuhës shqipe është diçka që të gjitha subjektet politike shqiptare e thonë vazhdimisht, çështjen e preambulës e propozojmë si version që ofron një koncept i cili është më afër realitetit shoqërorë që e kemi në RM”, u shpreh Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

Ndërhyrje me amendamente ka paralajmëruar edhe Aleanca për Shqiptarët. Kreu i saj Zijadin Sela kërkon që amendamentet të mbështeten edhe nga partitë tjera me qëllim që të arrihet një kushtetutë e cila do të promovojë të drejtat dhe jo t’i sanksionojë ato.

“Plani dhe strategjia jonë është që amendamentet të kalojnë dhe ndryshimet kushtetuese ta gjejnë shtetin më të drejtë. Kushtetua të promovojë të drejta dhe liri e jo të sanksionojë. Kjo është ideja e ASH-së sepse vetëm kështu ka kuptim anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE”, theksoi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, raporton Alsat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA