Kompeticioni i dytë më i rëndësishëm në futbollin europian mund të zyrtarizojë sot në mbrëmje skuadrat e para të kualifikuara.

Në Europa League do të luhen sot 24 ndeshje, të tretat në grupe, që mund të ravijëzojnë edhe më shumë hierarkitë në avancimin drejt trofeut.

Marseja do të presë Lacion në stadiumin “Velodrome”, në një përballje të drejtpërdrejtë për vendin e dytë, pasi kryesuesit e Frankfurtit janë të distancuar dhe po ecin të sigurtë drejt vendit të parë. Një barazim i Lacios në transfertën franceze, gjithsesi mund të konsiderohet pozitiv në vijueshmërinë e kalendarit të Europa League.

Milani do të kërkojë të harrojë disfatën e hidhur në derbi, me një ndeshje të lehtë të paktën në letër, kundër Betisit. Kuqezinjtë kryesojnë grupin F me pikë të plota, por nëse triumfojnë edhe në “San Siro” ndaj andaluzianëve nuk do të kenë më rivalë për pjesën e mbetur të kësaj faze.

Spikat në Europa League, sot në mbrëmje, edhe përballja e Lisbonës, mes Sportingut dhe Arsenalit. Anglezët janë dukshëm favoritë, për shkak të diferencës në grupin e lojtarëve, por fakt mbetet që të dy skuadrat janë me pikë të plota, e vetëm sot mund të vijë diferenca.

Sot në mbrëmje do të impenjohet edhe Glasgow Rangers i shqiptarit Eros Grezda. Ky i fundit mund të luajë ndoshta një pjesë ndaj Spartakut të Moskës, pasi është riaftësuar nga dëmtimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA