Shërbimet informative turke kanë ndarë “të gjitha provat” për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, me shefen e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) gjatë vizitës së kësaj të fundit në Turqi. Lajmi raportohet këtë të mërkurë nga mediet proqeveritare.
Drejtoresha e CIA-s, Gina Haspel vizitoi kryeqytetin turk, Ankaranë, gjatë së martës, për të zhvilluar bisedime me zyrtarët mbi vrasjen e gazetarit Khashoggi, që shkruante edhe për “Washington Post”, brenda Konsullatës saudite në Stamboll.
Pamjet filmike dhe përgjimet audio, sikurse edhe provat e mbledhura nga brenda konsullatës apo rezidencës së konsullit arab në Turqi, u ndanë me Haspelin gjatë informimit të saj në Organizatën Turke të Inteligjencës (MIT), raporton gazeta “Sabah”.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e ka hedhur fajin ndaj lidershipit saudit për vdekjen e gazetarit të kthyer në një kritik të ashpër të regjimit. Por, gjatë një fjalimi të mbajtur të martën, ai tha se vrasja ishte “planifikuar më herët” dhe kërkoi që të gjithë të përfshirët të dalin para drejtësisë turke.
59-vjeçari u zhduk që prej 2 tetorit, pasi hyri në misionin diplomatik saudit për të marrë dokumente për dasmën e tij. Erdogan tha se një ekip prej 15 personash erdhën nga Rijadi për të vrarë Khashoggin.
Top Channel