Top Story nuk u ndal vetëm në zonën e Zubin Potoku. Mitrovica ishte një tjetër zonë ku ekipi i xhirimit përqendroi vëmendjen duke sjellë për publikun një nga pasuritë më të mëdha nëntokësore që ka Mitrovica, Mineralet e Trepçës.

Emri i saj është një akronim, ku parashtesa e parë TRE vjen si pasojë e tre furrave të shkrirjes, ndërsa prapashtesa PÇA rrjedh nga fjala “poça” ose e thënë ndryshe pjekje.

Aktualisht Trepça shfrytëzohet 80% nga Kosova dhe 20 % nga serbët në territorin e Zveçanit. Pamjet që solli Top Story janë të Trepçës që menaxhohet nga shqiptarët në Stan Tërg, nga ku nxirret lënda e parë minerare.

“Unë punoj prej vitit ’83, i punësuar që në moshën 21 vjeç. Kam filluar si minator dhe pastaj jam pranuar si teknik i zejtarisë, dhe tani punoj me makinat e minierës”. – Ramadan Beqiri, Minator i Trepçës Jugore.

Por kjo pasuri nëntokësore, është lënë në mëshirë të fatit, pa asnjë investim, nuk jep asnjë të ardhur. Madje buxhetit të Kosovës i ka marrë mbi 150 milion euro në 10 vitet e fundit për pagesat e punonjësve dhe mirëmbajtje.

“Trepçen ka dashur dikush ta falimentojë dhe ta shesë. ne kemi qenë shumë të vëmendshëm, që kjo mos të ndodhë”, – Agim Bahtiri, Kryetar i Mitrovicës Jugore.

“Kjo minierë ka nevojë për investime dhe për momentin duhet që këto investime të jenë shtetërore. qeveria e Kosovës ta marre në dorë. Burimet e krejt Kosovës janë këtu”, – tha për Top Story Minatori.

Kombinati i Trepçës që kontrollohet nga serbët, shtrihet në krah të Mitrovicës së Veriut dhe investimet që janë kryer aty, i kalojnë dhjetëra milionë euro.

Diferenca mes Trepçës së Veriut me asaj të Jugut është e dukshme edhe nga pamjet filmike të xhiruara me dron. Gjithashtu trajtimi i minatorëve është i ndryshëm, pasi një minator shqiptar që punon në jug paguhet rreth 650 euro në muaj, kurse një serb në veri përfiton 900 euro në muaj.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, thotë se Trepça është aseti më i rëndësishëm i buxhetit të Kosovës. Copëtimi i kësaj miniere në dy pjesë, jo vetëm do të ulte rendimentin e prodhimit, por mund të kthehej në një konflikt të fort mes Kosovës dhe Serbisë.

“Trepça do jetë e jona dhe ne kemi bërë dhe bordet”, – tha Agim Bahtiri, Kryetar i Mitrovicës Jugore.

Sot që flasim, Trepça e Serbëve të Veriut ka lidhur disa kontrata me kompani ndërkombëtare, për shitjen e plumbit dhe zinkut. Të ardhurat nga këto kontrata disa milionë euro, nuk shkojnë për Kosovën dhe as për qytetarët e saj, por përdoren si financime të strukturave paralele serbe, në veri të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA