Mazhoranca do të kalojë këtë të enjte në seancë plenare dekretin e dytë të Presidentit Meta që ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për teatrin, por ndryshe nga sa bënë në shtator, këtë herë socialistët do ta rrëzojnë dekretin e Kreut të Shtetit.
Dekretet presidenciale hyjnë automatikisht në kalendarin e punimeve dhe Eduard Shalsi njoftoi deputetët e Veprimtarisë Prodhuese se do ta shqyrtojë dekretin e dytë të Metës mëngjesin e të enjtes në orën 09:00, para se të nisë seanca plenare. Më pas dekreti mësohet se do t’i kalojë seancës që parashikohet të nisë një orë më pas.
Burime nga mazhoranca konfirmuan për Top Channel se këtë herë PS do ta rrëzojë dekretin e Presidentit, duke i hapur kështu rrugën shpalljes së garës dhe negocimit të kontratës me kompaninë fituese për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, në vend të godinës ekzistuese që do të shembet.
Në korrik Meta e kthehu për herë të parë ligjin 37/2018 duke renditur disa problematika, mes të cilave edhe mungesën e një gare të hapur për kompanitë ndërtuese. Pas një insistimi edhe të Brukselit, mazhoranca pranoi vërejtjet duke hapur të paktën zyrtarisht garën, gjë që përveç ndryshimeve në brendi solli edhe ndryshimin në emrin e ligjit për teatrin.
Këto elementë shfrytëzoi Presidenti për ta konsideruar ligjin 37/2018 si ligj të ri e duke e ngelur atë për herë të dytë në vjeshtë, ndonëse një gjë e tillë nuk lejohet nga Kushtetuta. Sipas Kreut të Shtetit, drafti i miratuar nuk ka marrë në konsideratë të gjitha shqetësimet e tjera të shprehura prej tij, por socialistët pritet që këtë të enjte t’i vënë vulën çështjes së Teatrit me votë.
Top Channel