Në nisjen e fushatës për gjelbërimin e Tiranës, kryetari i bashkisë Erion Veliaj, bëri një veprim simbolik, duke mbjellë një pemë për djalin e tij të sapolindur.
“Unë e mbolla pemën e parë për këtë vit për djalin tim, ndaj kushdo që do të mbjellë një pemë për fëmijën e tij, për djalin ose vajzën, qoftë edhe si kontribut për qytetin, për mjedisin, për kauzat ku beson, për të kujtuar diçka të bukur, mbjellja e një peme është mënyra më e mirë”, tha Veliaj.
Nisja e fushatës për mbjelljen e pemëve përkon me Ditën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësues te OKB-së në Tiranë u benë pjesë e kësaj fushate që nisi në Parkun e Liqenit. Bashkia e kryeqytetit synon të arrijë një numër rekord prej 150 mijë pemësh.
“Besoj se do ta thyejmë rekordin e vitit të kaluar, që ishte 126-127 mijë pemë. Është një ditë fantastike për ta nisur me këmbë të mbarë me kolegët e agjencive të OKB-së në Tiranë, për ta festuar në mënyrë konkrete, jo me seminare, jo me konferenca, jo me fjalime, por duke i dhënë qytetit një kontribut që në thelb flet mijëra fjalë për misionin e Kombeve të Bashkuara”, u shpreh Veliaj.
Koordinatori i Përhershëm i UNDP-së në Tiranë, Brian J. Williams, vlerësoi kujdesin e Bashkisë së Tiranës për mjedisin dhe deklaroi se përpjekje për të shtuar numrin e pemëve është një kontribut për një nevojë globale, siç është kujdesi për mjedisin.
Top Channel