Manchester United doli kokë-ulur nga sfida e mbrëmjes së djeshme në “Old Trafford” përballë Juventusit, e vlefshme për fazën e grupeve të Champions Leagues.

“Djajtë e kuq” u mposhtën nga italianët me rezultatin minimal 0-1, ndërsa Jose Mourinhos iu desh të përballej edhe me koret e vazhdueshme të tifozëve juventinë, që këndonin vazhdimisht “Uomo di merda” dhe “Mourinho, figlio di p…..”.

Portugezi është një “armik” i bardhezinjve, që nga koha kur drejtonte Interin në kampionatin italian dhe në të gjithë rastet kur tifozët këndonin kundër tij, portugezi u përgjigjej si një interist.

Mourinho u fiksua disa herë nga kamerat, teksa ngrinte lart 3 gishtat, për t’u kujtuar tifozëve që e shanin, se ka fituar tripletën e famshme, kampionat, kupë dhe Champions, kur drejtonte skuadrën e Interit.

Në përfundim të sfidës, Mourinho thumboi tifozët bardhezi edhe në konferencën për shtyp, duke thënë se për fat të keq, tripleta i përket vetëm Interit dhe se ata do të duhet të vijojnë të provojnë për ta fituar.

“Ata nuk më duan, pasi tripleta jonë ishte momenti më i vështirë për juventinët. Kam respekt të madh për të gjithë ata, për shoqërinë, për stafin dhe të gjithë komponentët, që bëjnë një punë mjaft të mirë.Sigurisht ata po bëjnë të pamundurën për të fituar, jo Championsin, por tripletën. Megjithatë për momentin nuk u përket atyre, pasi me gjithë keqardhjen për tifozërinë e tyre, e kemi fituar vetëm ne. Megjithatë mendoj se janë pranë”, deklaroi Mourinho në përfundim të sfidës.

Top Channel