E mbani mend “Pinokun shqiptar”, personazhin aq të dashur për fëmijët e brezit të viteve ‘80 në Teatrin e Kukullave?
Me siguri shumë nga ju, nuk e kanë harruar atë, por në fakt aktoren e këtij roli Eva Pëllumbi pak veta e kujtojnë.
Për rreth 28 vitesh, aktorja ka jetuar jashtë vendit, ndërsa së fundmi ajo është rikthyer në vendin tonë.
Pasditen e së mërkurës, aktorja ishte e ftuar në “Ftesë në 5”, të Bieta Sulos, ku karrierën e saj në skenën e ekranin shqiptar dhe botën e kinematografisë, si dhe jetën e saj gjatë viteve të fundit jashtë Shqipërisë.
***
Eva Pëllumbi e ka filluar aktivitetin e saj në skenë në moshë të vogël në pallatin e “Pionierëve”.Në moshën 17-vjeçare ishte pjesë e skenës së Estradës, ku në krah të zonjës Anita Take debutoi me shumë sukses si imitatorja e parë e skenës shqiptare.
Më tej, në Teatrin e Kukullave u dha frymë roleve të shumta, ndër të cilët është për t’u përmendur roli i pavdekshëm i “Pinokut”, i cili ka mbetur në mendje e të gjithë fëmijëve të viteve 80-90, mbase edhe e prindërve të tyre.
Njëkohësisht, aktorja ka pasur edhe role në filmin artistik “Vajzat me kordele të kuqe”, ku ka shfaqur edhe njëherë talentin e madh si imitatore, në filmin “Ëndërr për një karrige”.
Paralelisht, ajo punoi për vite me radhë në Kinostudio dhe u dha zërin e saj qindrave karaktereve të filmit vizatimor, ndër to zërin e Çufos, Papagallit në “Dy Gosti“, “mama dhisë dhe kecave” e shumë e shumë të tjerë.
Ajo u largua nga Shqipëria në vitet ’90, ndërsa deri para pak kohësh jetoi në veri të Gjermanisë, me familjen e saj.
Top Channel