“Klimt dhe Schiele, Eros dhe Psike” është titulli i filmit që do të dalë së shpejti në sallat e kinemave Europiane. Me regji të Michele Mally, ky film u dedikohet burrave, jo vetëm piktorëve, por edhe shkrimtarëve, skulptorëve dhe muzikantëve, që në fillim të 1900-ës “vranë” etërit e tyre artistikë, duke u bërë sjellës idesh të reja në art, larg rrymave klasike dhe atyre që mësoheshin në Akademinë e Arteve të Bukura, në Vienë.
Veprat skandaloze të Gustav Klimt dhe Egon Schiele, kompozicionet perverse të Strausit, ideja e Freud-it për një qënie njerëzore për herë të parë irracionale, trondisin Vienën konservatore dhe katolike, asokohe kryeqytet i perandorisë Austro-Hungareze.
Egon Schiele vdes natën e 31 Tetorit të vitit 1918. Ethja spanjolle e vret edhe atë, pak ditë pasi i kish marrë jetën gruas dhe njëkohësisht muzës së tij. Gustav Klimt kishte vdekur në Shkurtin e po të njëjtit vit; dhe po në 1918-ën vdiqën piktori Koloman Moser dhe Arkitekti Otto Wagner.
Njëri pas tjetrit, Viena po humbiste të gjithë burrat që ishin bërë sjellës të një revolucioni kulturor, një lëvizje avant-garde, e para që interpretoi shqetësimet e njeriut të kohës së tij.
Erotizmi dhe vetmia, shqetësimi dhe kaosi: Në fillim të 1900’-ës këto ndjenja dhe kë fiksime shkundën mendjet e njerëzve, që në shenjë proteste kundrejt një tradite ndaj të cilës nuk ndjenin më përkatësi, vendosën të vrasin etërit e tyre në art.
Kjo ishte thyerja e madhe vieneze, një lëvizje që preku të gjitha disiplinat, nga piktura tek muzika, nga skulptura tek letërsia, dhe që e donte jetën si një vepër arti totale.
Top Channel