Golden State ka pësuar humbjen e parë në këtë fillimsezoni të kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. Skuadra kampione në fuqi u mposht nga Denveri 100-98, me Nuggets që vazhdon të ruajë pathyeshmërinë e tij.

Golden State duket se nuk ishte në mbrëmjen e saj më të mirë dhe në periodën e katërt të sfidës e pa veten në disavantazhin e 13 pikëve. Pikërisht në këtë moment, Stephen Curry e lojtarët e tjerë të “Warriors”-ave, arritën të shkurtonin diferencën në 2 pikë duke regjistruar një rezultat të pjesshëm 21-8.

Në sekondat e fundit, Curry hapi panik te mbrojtja e Denverit, teksa dha një asist perfekt te Damian Jones, por ky i fundit u frenua nga Hernan Gomez, me spanjollin që i dha këtë fitore me vlera skuadrës së tij.

Cleveland vijon të mos ngrejë kokë. Nënkampionët e NBA-së pësuan humbjen e tretë radhazi. Këtë radhë, ajo erdhi nga Atlanta, me rezultatin 133-111. Njeriu i ndeshjes për Haëks u bë Young, me ish-basketbollistin e Oklahomës që shkëlqeu në parket, teksa e mbylli ndeshjen me 35 pikë dhe 11 asiste.

Atlanta e dominoi totalisht ndeshjen me Clevelandin, që edhe këtë radhë tregoi se ka probleme të shumta në aspektin mbrojtës së lojës së tij. Për më tepër, Atlanta vendosi në këtë ndeshje edhe një rekord, teksa regjistroi 22 gjuajtje të sakta nga distanca e 3 pikëve. “Cavaliers”-at detyrohen ta shtyjnë sërish takimin me fitoren e parë sezonale.

Humbje pësoi edhe Oklahoma, që u thye nën parketin e saj nga Sacramento Kings me rezultatin 120-131, duke shënuar disfatën e tretë radhazi. Russell Westbrook e bëri debutimin e tij për këtë sezon, por prania e tij në parket nuk i mjaftoi “Thunder”-ave.

Westbrook u përpoq të lërë shenjën e tij dhe e mbylli ndeshjen me 32 pikë, 12 topa në tabelë dhe 8 asiste, statistika këto që nuk e ndihmuan Oklahomën. Ekipi teksan nuk e niste sezonin e NBA-së me një bilanc me 3 humbje që nga viti 2008. Për Sacramenton, ai që spikati ishte Shumpert me 26 pikë, ndërkohë që mjaft mirë u paraqit edhe Fox, me 22 pikë e 10 asiste.

Top Channel