Menjëherë pasi filmi “Delegacioni”, bashkëprodhuar nga Shqipëria, Franca, Greqia dhe Kosova u nderua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të 34-të Varshavës, regjisori Bujar Alimani kthehet triumfues në Shqipëri.
E para pyetje që më vjen është natyrshëm emocionet..?
“Është më shumë se e mrekullueshme. E para, të marrësh pjesë në një festival të tillë të kategorisë A dhe e dyta të marrësh Çmimin e Madh të festivalit. Besoj që është një festë jo vetëm për mua, por për të gjithë kinemanë shqiptare, sepse përmendet gjithmonë Albania, dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha Bujar Alimani, regjisor .
Triumfi i kësaj premiere u shpërblye edhe me një tjetër çmim.
“Morëm edhe çmimin “Ecumenical”, që është një çmim që e jep në thelb Federata Katolike e Varshavës, e suportuar nga Vatikani, i cili është një çmim që jepet për marrëdhëniet njerëzore, për humanizmin etj”, tha Alimani.
“Delegacioni” është një temë rreth diktaturës dhe rezistencës së individit ndaj saj. Një delegacion i huaj që vjen në Shqipëri për të parë sa po respektohen të drejtat e njeriut dhe kryetari i tij është pikërisht shoku i ngushtë i personazhit kryesor, Leos, një i burgosur politik. Fati i tij do të marrë tjetër rrjedhë pas këtij fakti.
Mendoni se janë këto tema ekzotike që tërheqin apo thjesht ka për të thënë nga ajo periudhë..?
“Unë mendoj që ka shumë për të thënë nga ajo periudhë. Unë mendoj se jemi vendi që kemi shumë akoma për të thënë. Ne jemi vendi që jetuam më rëndë se gjithë të tjerët diktaturën. Nuk reshtnin së foluri dhe së pyeturi përse e zgjodha këtë temë dhe a ka lidhje rinia e sotme shqiptare me pjesën e komunizmit”,, u shpreh regjisori Alimani.
Me një kastë të njohur aktorësh si Viktor Zhusti, Ndrizim Xhepa, Xhevdet Ferri, Kasem Hoxha, Rovena Lule etj, Delegacioni mori jetë fillimisht nga skenari i Artan Minarollit, por që ndarja nga jeta nuk e la ta shihte të përfunduar projektin e tij
Ky është një film i nisur nga projekti fillestar i Artan Minarollit, le t’ia kushtojmë pra një in memoriam.
“Absolutisht që filmi i kushtohet regjisorit Artan Minarolli, i cili e nisi këtë projekt, por që në fillesat e tij u nda nga jeta mendoj që sidomos ky trofe i madh i Varshavës është shpërblimi më i mirë që mund t’i bëja unë si koleg një kolegu që nuk është më”, tha Alimani.
Top Channel