Partia Demokratike akuzon Bashkinë e Tiranës për betonizim të parkut kombëtar pranë liqenit artificial. Sipas Jamarbër Malltezit në sipërfaqen e Gardës së Republikës do të ketë ndërtime gjë e cila i ka detyruar të mbajnë sekret planin rregullues të Tiranes deri pas zgjedhjeve lokale.
“Të dy heshtën dhe akoma nuk kanë dhënë llogari për vendimin e tyre, i cili lejon që kryeqytetit t’i hiqet një pjesë e mushkërisë së tij për t’u zëvendësuar me beton. Këta janë të njëjtët që heshtën, kur ne denoncuam se brenda Parkut të Liqenit, dy mikeshat e Edi Ramës, po ndërtonin vila në kundërshtim me çdo ligj në fuqi. Qytetarët e Tiranës duhet ta dinë se kafshimi i Parkut të Liqenit për interesat e mafias së ndërtimit, të lidhur me Bashkinë dhe me Qeverinë, është pjesë e Planit të ri të Tiranës”, deklaroi Jamarbër Malltezi.
Por kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se parkut kombëtar do t’i shtohen 2.5 ha nga sipërfaqja e Gardës për ta shndërruar atë në zonën më të aksesueshme nga qytetarët e Tiranës ndërsa pjesa tjetër i kalon ministrisë së Ekonomisë.
Veliaj i është përgjigjur edhe akuzave të PD.
“Unë e kuptoj shqetësimin e Partisë Demokratike! Të gjitha këto kanë qenë llokma të prenotuara për kunetër, për vjehërr. E kuptoj shqetësimin e tyre, duhet të jenë realisht të tronditur që kjo hapësirë i shkon qytetit dhe jo kunetërve. Fakti që dalin përditë, përditë për këtë hapësirë, do të thotë se u ka dhembur shumë fakti që këtë hapësirë do e gëzojnë qytetarët e Tiranës dhe jo ata që, në fakt, duhet të kalojnë në vetting. Prandaj, të gjithë jemi buzagaz kur dëgjojmë për vettingun e Lul Bashës, sepse ne presim vettingun e SPAK dhe BKH, që i shkon edhe vjehrrit, edhe kunatit, gjithë fisit e farës ku parkohen asetet e vjedhura nga ky vend. Ndërkohë, marrim sot një version komplet të holluar, ku vettingun e bëjnë vetë politikanët, ku nuk preken vjehërrit e kunetërit, dhe ku sigurisht, nuk japin llogari për gjithë dëmet që i kanë bërë këtij vendi. Por, ne kemi nevojë për një vetting të vërtetë, kemi nevojë për agjenci të vërteta që i menaxhojnë këto asete, dhe jo për vjehërrit e kunetërit”, sqaron ai.
Top Channel