Skënderbeu do të mbyllë fazën e parë të Kategorisë Superiore me sfidën ndaj Kamzës. Te skuadra korçare duket se te gjithë shfaqen të qetë pas problemit të shfaqur me financat në prag të kësaj ndeshje, të cilën trajneri Orges Shehi e konsideron si të vështirë.

Nga ana tjetër, Kamza vjen pas një sërë rezultatesh negative, që kanë vënë në pikëpyetje edhe të ardhmen e trajnerit Duro, ndërsa fitorja mungon që prej 15 shtatorit, përballë Kastriotit. Edhe kamzalinjtë kanë synimet e tyre në këtë sfidë, pasi humbja duket se është e ndaluar, ndërsa vetë trajneri Klodian Duro nuk e ka fshehur ambicien për të dalë me 3 pikë nga transferta korçare.

Luftëtari do të luajë në Tiranë ndaj Partizanit kryesues, një sfidë kjo që nuk është aspak e lehtë për skuadrën e Gentian Mezanit, që gjithsesi shfaqet optimist.

“Të kuqtë” duhet të bëjnë llogaritë me mungesën e portierit dhe kapitenit Hoxha, por pavarësisht kësaj, do të kërkojnë të ruajnë të paprekur rrjetën, pasi nuk pësojnë që nga java e parë në Korçë.

Partizani kryeson renditjen momentale me 19 pikë, ndaj një fitore përballë Luftëtarit do ta konsolidonte në krye, në prag të sfidës ndaj Skënderbeut, javën e ardhshme sërish në kryeqytet.

Java e 9 e Kategorisë Superiore do të mbyllet me përballjen mes Flamurtarit dhe Tiranës që do të luhet ditën e hënë.

Top Channel