Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, komentoi vendimin e Kuvendit të Kosovës, për krijimin e ushtrisë, duke thënë se kjo nuk mund të ndodhë, derisa të jetë në fuqi Rezoluta 1244.
“Për sa kohë të jetë në fuqi Rezoluta 1244, në Kosovë nuk mund të ketë forca të tjera të armatosura, përveç KFOR-it. Ushtria e Kosovës, ku nuk ka serbë dhe kundër të cilës janë serbët dhe Serbia, është një ushtri e krijuar për të kërcënuar Serbinë dhe serbët”, tha Vulin.
Kuvendi i Kosovës i ka miratuar tri projektligjet e propozuara nga qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një seancë ku munguan deputetët e Listës Srpska.
Përmes këtyre tri projektligjeve synohet që FSK-ja të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshi edhe përgjegjësi mbrojtjeje, por pa prekur emrin e saj.
Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes është miratuar me 101 vota, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës me 98, kurse projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës me 96 vota.
Top Channel