Biznesi i koncesioneve arriti në 53 miliardë lekë vitin e kaluar, duke shënuar një rekord të ri historik.
Top Channel analizoi bilancet e 16 koncesioneve më të mëdha në vend, nga ato të burimeve natyrore e deri tek kontratat në fushën e shëndetësisë, transportit dhe ato të kontrollit fiskal. Sipas bilanceve të dorëzuara nga vetë kompanitë, për vitin e kaluar xhiroja e koncesioneve më të mëdha në vend arriti 475 milionë euro ose sa 3.3% e prodhimit të përgjithshëm kombëtar.
Më shumë se gjysma e kësaj shifre vjen nga dy koncesione, të cilat shfrytëzojnë pasuritë natyrore të vendit, ai i naftës në Patos-Marinzë dhe miniera e kromit në Bulqizë. Në total, të dy këto koncesione kanë faturuar rreth 33 miliardë lekë, ndërkohë që pas tyre vijnë me radhë koncesioni i aeroportit, ai i pasaportave dhe monopoli i skanimit në dogana.
Por, cilat janë koncesionet më fitimprurëse në Shqipëri? Sipas bilanceve të dorëzuara në QKR, vendin e parë e mban koncesioni i aeroportit. Në vitin 2017, Tirana International Airport pati një fitim para tatimit prej 2.8 miliardë lekësh. Pas tij renditet koncesioni i kromit me 1.8 miliardë lekë fitim dhe më pas vijnë pasaportat, kolaudimi dhe skanimit të cilat kanë patur një fitim vjetor nga 207 deri në 542 milionë lekë.
Në total, 16 koncesionet më të mëdha të vendit vitin e kaluar fituan 7.3 miliardë lekë ose rreth 60 milionë euro, me një normë mesatare fitimi prej mbi 13% mbi xhiron. Por, brenda listës ka kompani me norma fitimi deri në 46%, siç është rasti i aeroportit të Rinasit, apo 25-30% si pasaportat dhe kolaudimet.
Top Channel