Vetëm 9 muaj pas transferimit të bujshëm nga Arsenali te Manchester United, sulmuesi Aleksis Sanchez kërkon të largohet nga skuadra e “Old Trafford”.

Futbollisti i kombëtares kiliane udhëzoi përfaqësuesit e tij të negociojnë kushtet e shitjes dhe të gjejnë ekipe të tjera në kontinentin evropian, të gatshme të paguajnë një shumë të konsiderueshme për 29-vjeçarin.

Goli ndaj Newcastle këtë muaj ishte i pari që Alexis shënonte me fanelën e “Djajve të Kuq” që prej muajit prill, një statistikë e qartë se asgjë nuk shkon mirë me futbollistin nga Amerika e Jugut.

Shumë mendojnë se ndarja e Alexis nga partnerja e tij, aktorja Maite Rodriguez ka ndikuar edhe në performancat në fushë, por te Manchester United tani po kërkojnë ta shesin para se të jetë vonë.

Asnjë klub nuk do të ishte i gatshëm të paguante 450 mijë paundë në javë për futbollistin në fjalë, por Alexis do të pranojë uljen e kontratës për të provuar diçka tjetër. Sulmuesi pritet të jetë në formacion të shtunën në transfertën ndaj Chelsea, në një 90-minutësh ku Djajtë nuk mund të dalin pa pikë.

Top Channel