Kuvendi i Kosovës i ka miratuar tri projektligjet e propozuara nga qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Përmes këtyre tri projektligjeve synohet që FSK-ja të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshi edhe përgjegjësi mbrojtjeje, por pa prekur emrin e saj. Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes është miratuar me 101 vota, ai për Forcën e Sigurisë së Kosovës me 98, kurse projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës me 96 vota.
Ato u mbështetën nga të gjitha grupet parlamentare, përveç deputetëve të “Listës Serbe”.
“Iu siguroj se, në një Kosovë të sigurtë, të gjithë kanë arsye të ndihen të sigurtë, edhe komunitetet. Kjo është një punë që bëhet për të gjithë qytetarët e vendit. Sa u përket funksioneve të FSK-së, që të tria ligjet kanë një detyrë: mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës, mbrojtja e qytetarëve dhe komuniteteve të Kosovës, mbrojtja ushtarake civile dhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare”, tha kryeministri Haradinaj.
Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha prezantoi fillimisht projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, për të cilin tha se hartimi dhe procedimi është mbështetur në normat kushtetuese, në mënyrë që të mundësohet riorganizimi dhe kalimi nga Ministria e FSK-së në Ministrinë e Mbrojtjes.
“Ky projektligj parashikon që Ministria e Mbrojtjes të ketë strukturën e saj organizative, që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj. Ministria e Mbrojtjes do të hartojë dhe zbatojë politikat e përgjithshme shtetërore të mbrojtjes në nivel strategjik, si dhe do të ushtrojë funksionet dhe kompetencat e saj në përputhje me Kushtetutën, me këtë ligj”, tha Rrustem Berisha, ministër i Mbrojtjes.
Pas votimit në Kuvend, presidenti Hashim Thaçi, në një postim në profilin e tij në Facebook, i cilësoi pjesëtarët e FSK-së si ushtarë të Kosovës. Ndërkohë që, më herët, NATO kishte paralajmëruar se nëse mandati i FSK-së zgjerohet, ajo do të detyrohej të rishqyrtonte nivelin e angazhimit në Kosovë.
Top Channel