Manjati miliarder që zotëron ekipin e Fulhamit, Shahid Khan ka tërhequr ofertën e tij për të blerë stadiumin mitik të Londrës, “Wembley”, lajm që konfirmohet edhe nga Federata e Futbollit (FA) gjatë kësaj të mërkure.

FA-ja, e cila zotëron aktualisht stadiumin e përfaqësueses së “Tre luanëve”, është kritikuar së tepërmi nga shumë personalitete të futbollit britanik, pas mësimit të planeve për shitjen e “Wembley”-t, pavarësisht se Khan ofronte për këtë gjë plot 600 milionë paund (800 mln dollarë).

E ndërsa drejtues të lartë të FA-së ishin të lumtur për shitjen, vazhdimi i kësaj tentative në mesin e mungesës së mbështetjes nga mbarë njerëzit e sportit rezulton të ketë qenë vendimtare që Khan të tërhiqej, edhe pse kishte planifikuar që në “Wembley” të transferonte edhe lojërat e franshizës amerikane të Jacksonville Jaguars.

“Shahid Khan na ka informuar sot se do të tërhiqet nga oferta për blerjen e stadiumit. Neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse të respektojmë vendimin e tij”, tha shefi ekzekutiv i FA-së, Martin Glenn, në një deklaratë.

“Khan besonte se oferta e tij për blerjen e Wembleyt do të bënte të mundur sigurimin e fondeve për të përmirësuar mjediset e komunitetit të futbollit në Angli dhe se kjo do të mirëpritej nga të gjithë personat me interesa në futboll”, shkruan më tej Glenn.

Më tej ai shton se, gjatë një takimi të kohëve të fundit me Khan, manjati miliarder u kishte thënë drejtuesve të FA-së se, pa mbështetjen e gjerë brenda kësaj loje, oferta e tij do të dukej më shumë si përçarëse, ndaj dhe kishte vendosur të tërhiqte propozimin.

Top Channel