Sadio Mané u bë futbollisti më i fundit në kampin e Liverpoolit, që shtohet në listën e të dëmtuarve pas pushimit të kampionateve për t’ua lënë vendin kombëtareve, që reflektohen ndonjëherë më shumë sesa parashikimi në kontigjentin e klubeve.

I pagëzuar me emrin “virusi i FIFA-s”, duket se ai ka prekur së tepërmi Liverpoolin, në fushatën për të rikthyer titullin në “Anfield Road”.

Sulmuesi senegalez kërkoi ndihmë mjekësore në spital, për dëmtimin në stërvitjen e kombëtares së tij para ndeshjes ndaj Sudanit. Fraktura në gisht nuk është diçka shumë e rëndë, por gjithsesi shqetësuese, për një ekip që po vuan edhe dëmtimet e Mohamed Salah në sulm, apo mbrojtësit më të shtrenjtë në historinë e Liverpoolit, Virgil van Dijk.

Sadio Mané pritet të mos luajë në ndeshjen e radhës, që “të kuqtë” do të zhvillojnë të shtunën kundër Huddersfieldit. Trajneri gjerman duhet të vlerësojë edhe gjendjen fizike të egjiptianit Salah, që braktisi kombëtaren për shkak të një shqetësimi fizik, ndërsa për mbrojtësin holandez, Van Dijk, duket se nuk do të ketë probleme serioze, edhe pse prej javësh ka pasur dy brinjë të thyera.

Shumë ekspertë i kanë bërë thirrje trajnerit Klopp që t’u japë më shumë minuta mesfushorit Xherdan Shaqiri dhe sulmuesit Sturridge, si dy emra që janë po kaq të aftë sa sulmuesit afrikanë për të prodhuar gola në Premier League.

Top Channel