Kombëtarja shqiptare e 19-vjeçarëve e drejtuar nga Erjon Bogdani e ka mbyllur me humbje “Elite Round” të zhvilluar në “Niko Dovana”.
Pas humbjeve ndaj Ukrainës dhe Sllovakisë, 19-vjeçarët janë mposhtur edhe në ndeshjen e fundit ndaj Norvegjisë, këtë herë me rezultatin minimal 0-1.
Mjaftoi një gabim i qendërmbrojtësit të Skënderbeut, Enes Isufi në minutën e 31-të të pjesës së parë, që kuqezinjtë të mposhteshin minimalisht 0-1 ndaj nordikëve.
Në minutat në vijim, kuqezinjtë e Bogdanit tentuan të rikthejnë baraspeshën, por nuk ia dolën të shënojnë gol në portën e norvegjezëve, ndërsa rezultati mbeti i pandryshuar.
Kështu kuqezinjtë mbyllën fushatën eliminatore të “Elite Round” me 3 humbje në po kaq ndeshje, ndërsa statistikat bëhen edhe më negative, kur llogarit që Kombëtarja U-19 ka pësuar 5 gola dhe nuk ka shënuar asnjë.
Top Channel