Gjermania dështoi sërish të kthehet te suksesi, teksa u mposht me përmbysje nga kampionët në fuqi të botës, Franca, në sfidën e luajtur në “Stade de France”.

Pas humbjes së thellë 3-0 në Amsterdam, skuadra e LoW e nisi mjaft mirë sfidën në kryeqytetin francez dhe arriti të gjejë avantazhin në minutën e 14′, kur Toni Kroos ekzekutoi saktë një penallti.

Franca riktheu baraspeshën në minutën e 62-të, me anë të yllit të Atletico Madridit, Antoinne Griezmann, ndonëse Gjermania po luante dukshëm më mirë.

“Pancerat” nuk e ulën ritmin dhe vijuan të kërkojnë sërish avantazhin, por në nJë kundërsulm të shpejtë, Franca fitoi një 11-metërsh të dhënë edhe nga “zemërgjerësia” e arbitrit.

Penalltinë e merr përsipër Griezmann, që ekzekuton saktë dhe mposht për herë të dytë Manuel Neuerin, duke lënë sërish “duarthatë” Gjermaninë.

Skuadra e Low ka edhe një ndeshje për të luajtur në Ligën e Kombeve, pikërisht ndaj Holandës në Gjermani, por që rrezikon seriozisht qëndrimin në Ligën A.

Top Channel