Lidhur me situatën në universitete në këtë fillimviti akademik është folur edhe në studion e “Top Talk”. I ftuar ka qenë pedagogu Arlind Qori, një nga veprimtarët e Lëvizjes për Universitetin, kritik ndaj sistemit në tërësi dhe një personazh i njohur në publik si antikoformist.
Arlind Qori e “justifikon” mbylljen e 41 degëve në Universitetet në vend si pasojë e lëvizjes demografike, por jo vetëm.
“Duhet të jetë lëvizja demografike. Sidomos të rinjtë duan të ikin nga Shqipëria, duan të arsimohen jashtë. Edhe në vitet e ardhshme do të ketë një rënie të këtij numri. Por kësaj i shtohen edhe politikat qeveritare që e bëjnë arsimin universitar më pak të përballueshëm nga studentët, kontribuojnë shumë pak në zhvillimin cilësor të universiteteve”, u shpreh ai.
Ai shton se Universitetet vuajnë shumë probleme, por thekson se edhe ligji për arsimin e lartë po e dëmton situatën duke i dhënë një tendencë komercializimi.
Sipas pedagogut Arlind Qori qeveria bën çmos nga ana tjetër që më të mirët të mos vijnë në Universitet.
“Sa më i shtrenjtë të jetë universiteti aq më pak do të tentojnë të hyjnë në të. Kush e di sa talente humbim në të gjitha nivelet arsimore vetëm për shkak të kushteve ekonomike”, thotë ai.
Ai e vlerëson nën mesatare gjendjen e universiteteve në Shqipëri, e kjo sipas tij vjen për shkak të mos demokratizimit të Universiteteve.
“Autonomi do të thotë tërheqje e shtetit, por demokratizim i Universiteteve. Njerëzit e fuqishëm në Universitete përmes raporteve klienteliste arrijnë t’i përdorin ato si pronë të tyre. E vetmja shpresë që universitetet të demokratizohet janë studentët, por vlera e votës së tyre është ulur shumë”, shton Arlind Qori.
Top Channel