Në të ardhmen, qeniet njerëzore do të dominohen nga një racë supernjerëzish gjenetikisht të modifikuar, që përmirësohen vet, pa pritur kursin e natyrës.

Ky është një nga parashikimet e bëra nga shkencëtari britanik, Stephen Hawking, i cili u nda nga jeta 14 marsin e kaluar në moshën 76-vjeçare, e që vjen tani në librin “Përgjigjet e mia për pyetjet e mëdha”, që do të dalë në shitje nga dita e martë, bashkë me paralajmërimin mbi rreziqet e inteligjencës artificiale, një nga frontet ku ai u angazhua gjatë, dhe refleksioneve për ekzistencën e Zotit.

“Nuk ka kohë për të pritur që evolucioni darvinian të na bëjë më inteligjentë”, shkruan shkencëtari i madh në një nga ekstraktet e librit, që e ka sjellë në avancë britanikja “The Times”.

“Pasi këta supernjerëz të shfaqen, do të ketë probleme politike domethënëse, me qeniet njerëzore të papërmirësuara që nuk do të jenë në gjendje të konkurojnë me ta. Me shumë gjasa do të zhduken, ose do të humbasin rëndësi. Do të ketë në anën tjetër një racë qëniesh, që vetëprojektohen dhe që përmirësojnë vetveten me një shpejtësi në rritje. Nëse raca njerëzore arrin të rikrijohet, me gjasë do të zgjerohet dhe do të kolonizojë planete dhe yje të tjerë”.

Ideja, që për shkencëtarin britanik përfaqëson një mundësi të madhe, është që të mund të përdoren teknikat që lejojnë modifikimin e ADN-së për të rritur memorien, rezistencën ndaj sëmundjeve, jetëgjatësinë dhe për të përmirësuar karakteristikat e tjera.

Por, Hawking nuk harron inteligjencën artificiale. Kjo e fundit, sipas tij, mund të jetë gjëja më e mirë, por në të njëjtën kohë edhe më e keqja që i ka ndodhur njerëzimit. Për sa i takon ekzistencës së Zotit, ai sugjeron: Mund të quani ligjet e shkencës Zot, por nuk është një Zot personal, nuk mund ta takosh dhe as t’i bësh pyetje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA