Në ditën e parë të vitit akademik universitar, në Muzeun e Shkencave të Natyrës, që tashmë mban emrin e saj, u përurua këndi i kujtesës së studiueses Sabiha Kasimati.

Sabiha Kasimatit i jepet kështu një vend nderi në muzeun që e ideoi, konceptoi, propozoi e themeloi, para se të dënohej dhe ekzekutohej brutalisht, për t’u braktisur në harresë dhjetëravjeçare.

Elsa Kasimati, familjare e Sabiha Kasimatit, tha: “Më së fundi po vihet në dritë një figurë që ishte lënë në pluhur, në hije. Ajo ka qenë njeri me shumë vlera. Njeri që humbi kot dhe në moshë shumë të re. Mendoj si mund të ketë qenë kaq shumë e përparuar, sepse unë e gjej të kohës së sotme atë. Edhe me mendimet, edhe me veprimet e saj”.

“Ne do të donim shumë që të ishin edhe nipërit e saj që tani nuk jetojnë më. E panë disi vlerësimin dhe nderimin që ju bë, por nuk e panë, por nuk arritën deri këtu, sepse ishte vonë. Ishte shumë vonë”, tha Kleri Kasimati, tjetër familjare e Sabihasë.

Këndi i kujtesës përmban materiale që e prezantojnë Kasimatin si shkencëtare dhe personalitet kurajoz. Feministe e intelektuale.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla theksoi: “Është një ditë e veçantë, sepse është dita e fillimit të vitit të ri akademik dhe unë besoj se është një ditë e veçantë për gjithë memorien tonë kombëtare për të rikthyer edhe njëherë sytë drejt vlerave”.

Gentiana Sula, drejtoreshë e autoritetit, u shpreh: “Jemi të vendosur që jo vetëm figura e saj, por disa figura të cilat u anatemuan gjatë regjimit komunist, të studiohen. Projekti ka nisur, ne kemi përzgjedhur rreth 10 studiues”.

Ndërsa Mynyr Koni, rektor i Universitetit të Tiranës, nënvizoi: “Unë jam biolog dhe për herë të parë emrin e zonjës Kasimati e kam dëgjuar në vitin 1992 a 1993, si biologe”.

Narrativa e jetës dhe veprimtarisë së Sabiha Kasimatit është bazuar në dokumente, shkresa, raporte e fotografi të rralla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA