Stuhi me erëra që kapnin shpejtësinë e 180 km në orë kanë goditur Portugalinë mëngjesin e së dielës, duke lënë qindra e mijëra njerëz pa energji elektrike, e duke sjellë reshje të rrëmbyeshme shiu në Spanjë.

“27 vetë kanë pësuar lëndime”, thanë zyrtarët portugezë.

Rajoni përreth kryeqytetit Lisbonë dhe qendrës së vendit është goditur më rëndë, me pemë të shkulura nga rrënjët, makina dhe shtëpi të dëmtuara, e përmbytje po ashtu.

Zyrtarët e Mbrojtjes Civile kanë raportuar në total 1.900 incidente. Mbrojtja Civile tha se 324 mijë vetë kishin mbetur pa energji elektrike, ndërsa më shumë se 60 persona janë detyruar të braktisin shtëpitë e dëmtuara.

Bëhet fjalë për një uragan “zombie” të quajtur “Leslie”, që është krijuar në fund të shtatorit dhe është endur prej javësh mbi oqeanin Atlantik. Druhej se stuhia do të ishte më e rënda që godet rajonin në më shumë se 150 vite, por ajo u dobësua para se të mbërrinte brigjet portugeze.

Autoritetet thonë se rreziku më i madh tani ka kaluar. Mbrojtja Civile në Spanjë tha ndërkohë se problemet do të vazhdonin në vend, për shkak të reshjeve të shiut që do të vijojnë. Të martën, shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje në ishullin e Majorkës, duke u marrë jetën 12 personave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA