Rezultatet kanë tradhtuar Ze Marian dhe e shtynë, që bashkë me presidentin e Tiranës të ndërpresin bashkëpunimin e tyre që kishte filluar që nga sezoni i shkuar, kur bardheblutë ranë në Kategorinë e Parë.

Tetë ndeshje në Superiore; 4 humbje, dy barazime dhe dy fitore, është bilanci i trajnerit brazilian, që e shtyu atë në ndërprerjen e një kontrate që ishte rinovuar pikërisht në fillim të këtij sezoni edhe për një vit, me opsion shtimin e një tjetër viti.

“Ishte një periudhë rritjeje personale dhe profesionale për mua. Njoha persona që e duan këtë ekip, por skuadra është si një familje dhe çdo familje ka problemet e saj. Ndonjëherë këto probleme të shtyjnë drejt një divorci të pashmangshëm, e në situatën tonë, divorcin na e sollën rezultatet jo të mira. Përpara një jave fola me presidentin dhe kishim si afat dy ndeshjet që u zhvilluan, me Kastriotin dhe Laçin, por kur skuadra nuk bën atë që them unë, atëherë nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të largohem. Nuk mund të tregoj publikisht gjërat që nuk shkuan, se pasi largohesh është e lehtë të drejtosh gishtin. Gjithsesi le të themi që unë gabova”, tha Ze Maria, ish-trajner i Tiranës.

Ndërkohë, në konferencën për shtyp të prishjes së kësaj kontrate ishte i pranishëm edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili.

Trajneri i ri i Tiranës do të jetë një nga “familja bardheblu”, një ish-lojtar si Ardian Mema, sot zëvendës i Ilir Dajës te Flamurtari, por që me shumë gjasë do të zbresë në fushën e stërvitjes nga dita e shtunë, duke evituar një prezantim të bujshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA