Mbappe është një aset i artë dhe kush më mirë sesa “gjelat” e Francës e dinë këtë? Djaloshi, që ka përfunduar edhe në kopertinën e revistës “Time”, është ai që të bën të fitosh Botërorin, siç ndodhi në Rusi, apo edhe të shmangësh një rezultat katastrofik, edhe pse në miqësore, siç ndodhi mbrëmjen e së enjtes përballë Islandës.

Përballë ishullorëve në Guingamp, kampionët e botës në fuqi u gjendën në disavantazh të dyfishtë, me një gol të pësuar në pjesën e parë dhe një tjetër kur kishte kaluar rreth një orë lojë, por gjithçka do të zerohej në 5 minutat e fundit të ndeshjes, teksa më herët ishte aktivizuar në fushë ylli parizien.

Deri në minutën e 60, islandezët ishin shumë pranë fitores së merituar, që do të ishte e para për ta këtë vit dhe e para kundër “Les Bleus”. Sigurisht, një fitore në fushë përballë kampionëve në fuqi të botës të jep edhe më shumë stimuj. Por, skuadra e Deschamps nisi të reagonte dhe këtë e bëri vetëm pas minutës së 60, kur në fushë u aktivizua Mbappe.

Fillimisht shënon gol, por që i anulohet për pozicion jashtë loje. Më pas gjuan fuqishëm nga e djathta, duke detyruar portierin të grushtojë topin për te njëri prej lojtarëve të tij, që detyrohet ta fusë në portën e vet në mungesë të fatit. Në fund vjen edhe penalltia, pas prekjes së topit me dorë nga Sigthorsson. Në mungesë të Griezmannit dhe Pogbasë në fushë, Mbappe merr përsipër ekzekutimin e 11-metërshit, që e transformon në gol, duke shmangur kështu dështimin e parë për kampionët e botës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA