“Unë jam lindur këtu. Këto janë të miat, edhe pse janë male apo këneta. Ajo që është e imja, është e imja. Çfarë është e tyre, është e tyre”.
59-vjeçari Ruslan, nga një fshat i vogël (Dattykh) i Ingushetisë nuk e duron dot faktin që kodrat e blerta përreth vendit të tij të lindjes nuk janë më të tyret, por të fqinjëve çeçenë.
E gjithë zona përreth “Dattykh” është kthyer në një simbol krenarie për rajonin e varfër të Kaukazit verior, pasi udhëheqësi i tij Yunus-Bek Yevkurov firmosi një marrëveshje me udhëheqësin çeçen, Ramzan Kadyrov, për ripërvijimin e kufijve, pa u konsultuar më parë me popullin.
Ujdia, e mbikëqyrur prej të dërguarit të Vladimir Putinit në Kaukaz më 26 shtator, i çon kufijtë pranë Dattykh, duke i dhënë Çeçenisë një copë të mirë të territorit, të cilën banorët e Ingushetisë e konsideronin të vetin.
Zemërimi ndaj Yevkurov ka nxjerrë që prej 4 tetorit me mijëra vetë në rrugët e Magasit, qytetit më të madh të rajonit. Pleq e të rinj mblidhen përnatë përpara ndërtesës së Parlamentit, duke iu kërkuar autoriteteve anulimin e marrëveshjes.
“Njerëzit po presin për një vendim. Por askush nuk ka për të pranuar cënimin e territorit të Ingushetisë. Të gjithë këtu janë konfuzë dhe nuk u pëlqen të mos njoftohen për atë që po ndodh”, tha Vakha Khadziyev, aktor e protestues.
Shumë nga protestuesit flasin për padrejtësitë historike, të bëra sipas tyre Ingushetisë, e cila ka humbur dhe më parë një pjesë të mirë të tokës, kur ish-qeveria sovjetike vendosi t’ia kalonte rajonin Prigorodny, Osetisë veriore fqinje, pas deportimit të çeçenëve etnikë dhe ingushetëve nën pretendimin e bashkëpunimit me nazistët në vitin 1944.
Top Channel