Nuk ka rëndësi nëse jeni duke u ushtruar për një maratonë, për një garë atletike apo thjesht doni të përqafoni një stil më të shëndetshëm jetese; të dini kur, për sa gjatë dhe sa shpesh duhet të stërviteni është një pjesë gjithashtu mjaft e rëndësishme e programit tuaj.
Me siguri ne mund të gjykojmë në sajë të shenjave që trupi na jep e megjithatë jo gjithnjë është kjo mënyra e duhur për të vepruar. A jemi vërtetë të lodhur dhe kemi dhimbje muskujsh apo thjesht na mungon motivimi? A jemi duke shtyrë veten drejt arritjes të qëllimit apo jemi duke e mbingarkuar trupin tonë në sajë të ushtrimit të tepërt? Këto pyetje, në dukje fare të thjeshta, kanë përgjigje pak më tepër komplekse.
Specialistët thonë se nuk ka një përgjigje ekzakte mbi se sa shpesh duhet të ushtrohemi dhe që kjo kryesisht ndërlidhet me qëllimet që i keni vendosur vetes dhe me faktin që gjithsecili është i ndryshëm. Normalisht, dikush që do të konkurrojë në një maratonë do të ushtrohet me më tepër intensitet se dikush që vrapon herë pas here për të mbajtur trupin në formë.
Përpos kësaj thuhet se shpeshtësia lidhet edhe me llojin e stërvitjes: nëse ushtroni muskujt e një pjese të ndryshme të trupit çdo ditë: shpatullat, abdominalet, këmbët, shpina e me radhë, ju i jepni mundësinë kësaj zone muskulare të relaksohet në ditët në vijim ndërsa ushtroni zonën e radhës; nga ana tjetër, nëse lloji i stërvitjes lidhet me aktivitetin kardio, çiklizmin apo disiplina të tjera muskujt tuaj nuk do të kenë aq shumë nevojë për të rimarrë veten.
Ne duhet gjithashtu të dimë se për të marrë më të mirën e rutinës tonë sportive duhet ta balancojmë atë në varësi të dispozitave tona. Ngandonjëherë, të ushtrohesh shumë është edhe më e dëmshe se sa të ushtrohesh pak. Pushimi është po aq produktiv sa stërvitja, kjo pasi pas një seance intensive, trupi jonë ka nevojë të rindërtojë shtresat muskulare që janë dëmtuar. Çfarë do të thotë se, edhe gjatë pushimit trupi ynë ka një produktivitet shumë të lartë.
Ndaj përqafojini ditët tuaja të pushimit dhe mos i konsideroni ato si dështime por si suksese pasi trupi juaj është duke stabilizuar përfitimet që ka marrë gjatë trajnimit.
Zgjidhja më e mirë, është të dëgjoni ndershmërisht trupin tuaj si dhe të konsultoheni me një ekspert mbi realizimin e një rutine të personalizuar që balancon ushtrimin dhe pushimin.
Top Channel