Merkel: Inkurajojmë marrëveshjen për Brexit, por “djalli fshihet në detaje”

11/10/2018 05:52

Kancelarja gjermane Angela Merkel përshëndeti përparimin në negociatat për një marrëveshje për Brexit dhe tha se donte një marrëdhënie të ngushtë me Britaninë, pasi ajo të largohet nga Bashkimi Evropian, veçanërisht në çështjet e sigurisë.

“Shpresoj të ketë progres dhe me sa duket ka progres, por nganjëherë djalli fshihet në detaje, kështu që gjithçka përfundon, kur gjithçka të jetë përpunuar”, tha ajo në një konferencë shtypi pas takimit me Kryeministrin holandez Mark Rutte.

Më parë, negociatori i BE, Michel Barnier tha se një marrëveshje e Brexit është e mundur të arrihet javën e ardhshme, teksa çështja e kufirit me Irlandën është ajo që po mban pezull akordin mes palëve.

Merkel tha se negociatat ishin në një fazë vendimtare dhe sa më shpejt që të përfundonin, më mirë do të ishte për të dy palët, si Britaninë, ashtu edhe BE-në.

“Ne jemi dakord që duam marrëdhënie miqësore me Britaninë, mbi të gjitha bashkëpunim shumë të ngushtë në fushën e sigurisë”, tha ajo.

Top Channel