Bizneset nuk do të lejohen të kalojnë më në status pasiv duke pezulluar aktivitetin pa shlyer më parë taksat në shtet.
Qeveria ka ndryshuar ligjin e procedurave tatimore, duke vendosur një masë frenuese për pezullimin e bizneseve. Lëvizja vjen pasi pezullimi në masë i bizneseve është shndërruar edhe në një çështje të nxehtë debati mes opozitës dhe qeverisë.
Në 9 muajt e parë të vitit 2018, numri i bizneseve që pezulluan aktivitetin duke kaluar në status pasiv arriti në rreth 11 mijë e 300 subjekte ose 62% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Opozita ka akuzuar qeverinë se ky fenomen është tregues i krizës ekonomike, por qeveria thotë se numri i bizneseve në vend është rritur.
Masa e re e parashikuar në paketën fiskale dekurajon pezullimin e bizneseve, e cila shpesh, sipas administratës tatimore, bëhet qëllimisht për të shmangur taksat.
Por, kjo nuk është masa e vetme antievazion që qeveria ka propozuar në paketën e re fiskale. Një tjetër ndryshim është ai që nuk lejon personat fizik të kenë më shumë se një NIPT. Aktualisht, një person fizik mund të hapë disa biznese njëkohësisht me NIPT-e të ndryshme. Rrjedhimisht, duke copëtuar aktivitetin ai qëndron poshtë kufirit 5 milionë lekë të xhiros vjetore, duke mos paguar tatim mbi fitimin.
Por, nga një janari, personat që kërkojnë të hapin më shumë se një biznes do të kenë vetëm një NIPT. Rrjedhimisht, ndërmarrjet e tyre do të konsiderohen si një biznes i vetëm. Pra, nëse një person fizik ka 4 biznese që kanë xhiro nga 5 milionë lekë në vit secili dhe sot nuk paguan tatim mbi fitimin, nga 1 janari këto katër biznese do të konsiderohen si një biznes i vetëm me xhiro 20 milionë lekë. Rrjedhimisht, ky qytetar që sot nuk paguan asnjë lekë tatim mbi fitimin, nga 1 janari do të paguajë 15%.
Top Channel