Chelsea ka gjetur një mënyrë për të luftuar racizmin te tifozët e tij, duke qenë se e ka të pamundur t’i pengojë për të hyrë në stadium. Drejtuesit e klubit londinez kanë vendosur në fakt që tifozët më radikalë t’i çojë për një vizitë në kampin famëkeq të “Auschwitz”-it.

Lajmi bëhet i ditur nga tabloidi “The Sun”, sipas të cilit, ideja e “bluve” të Londrës është që organizimi i udhëtimeve të tilla në kampet naziste të jetë edukativ dhe që tifozët të shohin me sytë e tyre tmerrin e shkaktuar nga intoleranca e ksenofobia, e kështu të ndryshojnë mënyrën e tyre të të sjellurit.

“Vendosja e kufijve apo ndalimi i gjërave nuk e ndryshon sjelljen e tifozëve radikalë. Kjo politikë u jep mundësi atyre të kuptojnë atë çfarë kanë bërë dhe të sillen më mirë. Duam të bindim edhe klubet e tjera që të ndërmarrin hapat e tyre dhe të luftojnë kundër këtij fenomeni, që vazhdon të jetë një problem”, tha për “The Sun” presidenti i klubit Bruce Buck.

Kjo nuk është hera e parë, që Chelsea e ndërmerr një nismë të tillë. Padroni i klubit londinez, Roman Abramovich ka ndërmarrë në të vërtetë edhe masa të tjera në favor të tolerancës. Kështu, në muajin janar të këtij viti, klubi prezantoi projektin e tij të ri me sloganin “Thuaji jo antisemitizmit”, me synimin edukimin e futbollistëve, punonjësve të klubit, tifozëve dhe komunitetit në përgjithësi, në lidhje me racizmin në futboll.

Top Channel