Austria mund të ndjekë Shtetet e Bashkuara dhe Hungarinë, për t’u tërhequr nga mbështetja e një marrëveshjeje të Kombeve të Bashkuara mbi migracionin, tha qeveria austriake, duke përmendur shqetësimin rreth sovranitetit të saj dhe kufizimeve të mundshme në lirinë e saj për të vepruar.
Marrëveshja Globale për Migrim të Sigurt dhe të Rregullt, u miratua në korrik nga të gjithë vendet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përveç SHBA-ve dhe Hungarisë.
Qeveria e krahut të djathtë të Hungarisë, e udhëhequr nga kryeministri Viktor Orban, një kundërshtar i ashpër i imigracionit, ka thënë se nuk do të nënshkruajë dokumentin përfundimtar në një ceremoni në dhjetor. Polonia, e cila gjithashtu është ndeshur me Brukselin, duke iu rezistuar kuotave kombëtare për azilkërkuesit, po shqyrton marrjen e të njëjtit hap.
“Ne i shohim disa nga pikat në këtë marrëveshje, si shumë kritike. Ne do të bëjmë gjithçka për të ruajtur sovranitetin e vendit tonë dhe për të siguruar që ne si Republika e Austrisë mund të vendosim për veten tonë, për çështjet e migracionit “, tha kancelari Sebastian Kurz në një konferencë shtypi.
Kurz i udhëhoqi konservatorët e tij në fitore në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, duke u zotuar për të parandaluar çdo përsëritje të krizës evropiane të migracionit që filloi në 2015, kur Austria mori azilkërkues në një numër më të shumtë se 1 përqind të popullsisë së saj.
Top Channel