Shqipëria ka një flotë prej qindra varkash që patrullojnë çdo ditë ujërat tona. Pjesa më e madhe e tyre të regjistruara në portet e Durrësit, Shëngjinit, Vlorës dhe Sarandës.

Zv/ministri i Bujqësisë, Roland Kristo tregon për Top Story numrin e anijeve të peshkimit industrial dhe artizanal.

“Kemi plotë, rreth 187 anije të mëdha, anije të peshkimit industrial dhe 370 anije të vogla të peshkimit artizanal. Kjo ëhstë flota jonë e ndarë në 4 portet, përsa i përket anijeve të mëdha dhe përsa i përket peshkimit të vogël artizanal, kjo është kryesisht përgjatë bregdetit”, tha z.Kristo.

Metoda kryesore e gjuetisë që ushtrojnë këto barka është me trata fundore. Kjo nënkupton që në fundin e detit hidhet një kosh i madh rrjete, i cili gërryen tabanin ranor për kilometra të tëra duke u tërhequr nga peshkarexha. Ky lloj peshkimi është parashikuar që të ushtrohet në ujëra të thella dhe jo afër bregut.

Vendimi i Keshillit të Ministrave Nr. 402, datë 8.5.2013 “Për Shfrytëzimin e Burimeve Peshkore në Det”, e ndalon këtë lloj gjuetie në distancë më të afërt se 3 milje detare nga bregu, ose në thellësi më të vogël se 50 metra.

“Shumë anije peshkimi të vendit tonë, por edhe të huaja, përdorin mjete të paligjshme, rrjeta më të vogla, që do të thotë se shfarosin edhe peshqit të vegjlit, gjuajnë në zona të palejuara, në thellësi të palejuara”, tha Xhemal Mato, eksplorues detar.

Ndërsa Biologu Rigers Bakiu tregon arsyen se përse në ditët e sotme, peshkatarët nuk kapin aq peshq sa dikur.

“Ju mund të konsultoheni me peshkatarët sportivë këtu mbrapa se përse nuk kapin me aq peshk si dikur, sepse këtu afër janë duke peshkuar. Me sy të lirë duket një peshkarexhë që po peshkon shumë afër bregut”,- tha Biologu Rigers Bakiu.

Kamera e Top Story monitoroi disa zona të Shqipërisë për të parë sesa respektohet ligji për distancën e peshkimit nga bregdeti. Vëzhgimi i bërë nga Top Story, u shtri në zonat si: Portin e Shëngjinit, Portin e Durrësit, në plazhin e Semanit, në Portin e Vlorës…

Qetësisht dhe pa u nxituar, ato vijojnë të gërryejnë fundin e detit në shkelje të plotë të ligjit, në një distancë më të vogël se 500 metra nga bregu, ku thellësia nuk është më e madhe se 10 deri 15 metra.

Dhe e gjitha kjo ndodh nën vëzhgimin e radarëve që kanë për detyrë të monitorojnë çdo lëvizje në det.

“Një pamje e tillë do të thotë që ai nuk pyet për ligjin sepse e di që nuk funksionon. Dhe ai gjuan aty pa frikë në zonën ku është e ndaluar me ligj.Është si të thuash, të ikësh të marrësh gjëra në dyqan, ku aty nuk ka njeri”, – shprehet Xhemal Mato.

Duke iu referuar rasteve të peshkimit të këtij lloji, zv. Ministri i Bujqësisë Roland Kristo thotë që raste të tilla ka dhe janë dënuar disa raste.

Tratat fundore që gjuajnë vazhdimisht afër bregut, jo vetëm po shfarosin peshkun, por po i heqin burimin e oksigjenit detit.

“Peshkimi mbi Livadhet e poseidonias, janë zona që shërbejnë për vendstrehimin e të vegjëlve, dhe këto livadhe janë shkatërruar, nuk I shikoni më këto livadhe që shiheshin para 10 apo 15 vitesh”, – thotë për Top Story. Rigers Bakiu.

Top Channel