Kombëtarja shqiptare e 21-vjeçarëve do të kërkojë të bëjë mirë në ndeshjen me Spanjën, në sfidën e kualifikueseve të “Euro 2019”, që do të luhet këtë të enjte në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Trajneri Alban Bushi e tha qartë se, në këtë ndeshje, skuadra e tij duhet të tregohet e kujdesshme, duke qenë se i njeh mjaft mirë aftësitë e futbollistëve spanjollë.

“Luajmë në fushën tonë dhe duhet të jemi të kujdesshëm që të mos i lejojmë shumë hapësira Spanjës, pasi ajo të godet shumë rëndë. Do të luajmë të tërhequr. Edhe atje u mbrojtëm mirë, por pësuam 3 gola. Kur them do të luajmë të tërhequr, do të mbrojmë të gjithë, edhe sulmuesit e mesfushorët, e do të përpiqemi ta godasim Spanjën me kundërsulme, gjë që nuk e bëmë në sfidën e mëparshme”, tha Alban Bushi, trajner i Kombëtares U21.

Ndërsa për kapitenin Kejdi Bare, kjo ndeshje është e veçantë, duke qenë se i njeh lojtarët e Spanjës nga kampionati spanjoll, pa harruar këtu të flasë edhe për situatën e skuadrës sonë në grupin e dytë të kualifikueseve.

“Duhet të lë mënjanë këtë ndjesi, pasi unë dua ta fitoj këtë ndeshje dhe besoj se do t’ia dalim mbanë. Kam shumë shokë te Spanja, por kjo nuk më intereson, dua vetëm të fitoj. Më vjen keq që ndodhemi në këtë situatë, pasi kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe mund të kishim bërë më shumë”, tha Kejdi Bare.

Kombëtarja shqiptare e U21-shit është në kuotën e 6 pikëve në këto kualifikuese, pas 8 ndeshjeve të zhvilluara. Pas Spanjës, skuadra jonë e 21-vjeçarëve do të përballet me Estoninë, më 16 tetor.

Top Channel