Qindra njerëz dolën të mërkurën për paradën e dytë të Homoseksualëve në Kosovës, nën vëzhgimin e rreptë të policisë, pasi një parti që përkrahte vlerat islamike, “Fjala” i kërkoi qeverisë të ndalte këtë ngjarje.

Pjesëmarrësit që mbanin flamuj ylber marshuan nën diellin e shndritshëm të vjeshtës në tubim, nën moton “Në emër të lirisë”, duke u nisur nga ndërtesa kryesore e qeverisë në Prishtinë, deri në një shesh qendror, ku kërcyen, u përqafuan dhe u puthën.

Kosova ka vendosur njësi speciale të policisë për të mbrojtur marshuesit, por nuk janë raportuar incidente. Shteti më i ri i Ballkanit, i cili shpalli pavarësinë në vitin 2008, është me përbërje 90 për qind myslimanë dhe, si shumica e rajonit të Ballkanit, me një shoqëri konservatore.

“Ne i bëjmë thirrje institucioneve shtetërore që të mos e mohojnë identitetin tonë,” i tha tubuesve Lendi Mustafa, një nga organizatorët, i cili është transgjinor. “Sot kërkojmë liri për njerëzit që nuk kanë mundësi të shfaqen, nga presioni i familjes dhe shoqërisë”.

Një aktivist homoseksual serb, Aleskandar Saviç shprehu solidaritet me marshuesit e Kosovës.

“Ne të gjithë luftojmë për të njëjtat qëllime, ne ndajmë të njëjtat vlera, kështu që është logjike që përkundër sfondit tonë të ndryshëm etnik, ne mbështesim njëri-tjetrin”, tha Saviç.

Të martën, Fjala, një parti politike që lufton për të drejtat e myslimanëve, tha se marshimi i krenarisë së homoseksualizmit ishte “një paradë e turpit” dhe u përpoq pa sukses për ta anuluar atë.

Disa aktivistë të të drejtave thonë se Kosova duhet të lejojë martesën e të njëjtit seks. Aktualisht kushtetuta thotë “gjithkush gëzon të drejtën për t’u martuar”, por ligji i familjes gjithashtu thotë se ata që martohen, nuk duhet të jenë të së njëjtës gjini.

Top Channel