Gjinia femërore do të ketë më në fund kampionatin e saj të garave automobilistike. Bëhet fjalë për “W Series”, që do të nisë në maj të vitit 2019. Kjo kategori e re garash do të shohë në pistë makina të njëjta dhe bëhet fjalë për “Tatuus” të kampionatit Formula 3.

Në total, në këtë kampionat do të zhvillohen 6 gara, të gjitha në Europë, dhe që do të zgjasin 30 minuta secila. Një prej promovuesve të këtij kampionati është pikërisht David Coulthard, objektivi i të cilit është që të formojë pilote femra për të garuar në një të ardhme në Botërorin e Formulës 1.

Në “W Series” do të jenë 18-20 pilote femra që do të kenë makina identike. Për të marrë pjesë në këtë kampionat, kandidatet do të duhen të kalojnë një fazë përzgjedhëse rigoroze. Do të zbatohet një program testues në pistë, në simulator, pa harruar këtu edhe kryerjen e provave të tjera, ku përfshihen edhe ato fizike.

Ato që do të kalojnë këtë fazë do të stërviten më pas nga një grup ekspertësh; David Coulthard, Adrian Newey, Dave Ryan dhe Matt Bishop. Shuma totale e shpërblimit, e përcaktuar për këtë kampionat të ri, është 1.5 milionë dollarë, ndërsa pilotja fituese do të përfitojë 500 mijë dollarë.

Top Channel