Detaje të reja dhe të rëndësishme janë zbuluar në lidhje me çështjen, që prej javësh ka pushtuar mediet sportive; atë të akuzave për përdhunim të Cristiano Ronaldos ndaj Kathryn Mayorga, në një hotel të Las Vegasit në vitin 2009.

Ajo që jep këto detaje mbi këtë histori është policia e Las Vegasit, që nëpërmjet një zëdhënësi të saj ka hedhur poshtë disa deklarata të avokatit të Mayorgës, duke deklaruar se Ronaldo nuk është i pandehur për asnjë lloj krimi.

Komunikata e policisë së Las Vegasit u publikua nga të përditshmet “La Gazzetta dello Sport” dhe “Tuttosport”, ku theksohet se hetimet për dhunën seksuale u rihapën jo duke vënë në shënjestër futbollistin, por për verifikimin e fakteve, duke shtuar se Ronaldo me shumë mundësi do të merret në pyetje, por jo si i akuzuar, por si një person emri i të cilit figuron në këtë histori.

“Nuk ka asnjë datë të saktë, Ronaldo është jashtë vendit tonë. Do të jetë me rëndësi të dëgjojmë edhe atë, por nuk mund të themi se kur do të ndodhë kjo”, deklaroi zëdhënësi i policisë së Las Vegasit, Jacinto Rivera.

Ndërkaq, Ronaldo ka udhëtuar drejt Lisbonës për të folur me përfaqësuesit e tij ligjorë, për strategjinë që do të ndjekë në lidhje me këtë çështje, ndaj është e vështirë të mendohet se do të fluturojë drejt Las Vegasit, kështu që me shuma gjasë ai do t’u përgjigjet pyetjeve të policisë amerikane nëpërmjet një videokonference.

Policia e Las Vegasit hodhi poshtë gjithashtu edhe një akuzë tjetër të Lesli Stoval, atë të humbjes së provave të ngjarjes së vitit 2009, që ishin deklarata e viktimës, veshjet e brendshme të saj dhe certifikata mjekësore.

Top Channel