Manchester United rrezikon të humbasë futbollistët kryesorë nëse trajneri Zhoze Murinjo do t’i mbijetojë shkarkimit këtë sezon, e nëse renditja dhe klima brenda ekipit nuk do të përmirësohen.

Suksesi elektrizues me një përmbysje fantastike 3-2 ndaj Njukasëll ka ngritur kuotat e teknikut portugez për të arritur objektivat dhe për të rikthyer qetësinë pas polemikave të vazhdueshme me disa lojtarë.

Por përplasje me drejtuesit për disa objektiva të dështuar në merkato dhe konfliktet e hapura me yjet kryesorë të ekipit, janë reflektuar dhe në konferencat e pazakonta të shtypit. Pol Pogba mbetet shqetësimi më i madh, një futbollist që ka kushtuar 100 milionë Euro, por që dëshpërimisht kërkon të transferohet te Barcelona.

Francezit i shtohet Ljuk Shou që do të jetë pa kontratë në fundin e sezonit, dhe mbrojtësi anglez ka lënë të kuptohet se nuk do firmosë nëse Murinjo mbetet në stol. Por jo vetëm kaq. Entoni Marsial ndoshta mund ti paraprijë lojtarëve të tjerë me eksodin në merkaton e dimrit për përplasjet me trajnerin ashtu si Erik Baili, Ander Herrera, Huan Mata, apo kapiteni Antonio Valencia. Ky i fundit u la jashtë skuadrës në përballjen në Old Trafford pasi rishpërndau një postim që kërkonte shkarkimin e trajnerit Murinjo.

Një situatë problematike është edhe rreth David De Gea, që si për ironi të fatit ka të njëjtin agjent me trajnerin Murinjo. portierit i është ofruar rinovimi me 300 mijë Euro në javë por ende heziton për shkak se me Djajtë e Kuq nuk mund të garojë për trofe prestigjiozë.

Top Channel